SYRI TV/ Skandali 100 mln $ me koncesionin, qeveria merr kontrollin e ‘sterilizimit’
Pas përfundimit të kontratës koncesionare abuzive 100 milion dollarëshe me “Sani Service” të dhënë nga ish ministri i kabinetit të parë të Ramës, qeveria shqiptare pas 10 vitesh merr në kontroll këtë shërbim duke krijuar një operator shtetëror. Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit e cila do të shesë shërbimet e sterilizimit spitaleve shtetërore. Kapitali fillestar i saj do të jetë 2 milionë euro ndërkohë vijojnë hetimet për fryrje kostosh dhe korrupsion me koncesionin e sterilizimit.
Syri TV
Qeveria ka vendosur të marrë në kontroll procesin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, në përfundim të kontratës koncesionare abuzive 100 milionë dollarë, që kabineti i Edi Ramës nënshkroi në vitin 2015 me shoqërinë “Sani Service”, në pronësi të një ish-emigranti murator shqiptar në Itali, Ilir Rrepaj. Në 30 dhjetor 2025, Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Ramës, ka miratuar vendimin për krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit”. Shoqëria publike do të jetë në varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe kapitali fillestar i saj do të jetë 200 milionë lekë të reja ose rreth 2 milionë euro.
Sipas Vendimit qeveritar, Operatori do të ofrojë shërbimin e sterilizimit me pagesë për spitalet publike. Për momentin, ende nuk është bërë publike se sa do të jenë tarifat që do të aplikojë kompania publike për shërbimin që do të ofrojë. Tarifat aktuale që aplikohen nga kompania koncesionare janë, më së paku, dy herë më të larta se sa vlerat në tregun e lirë. Ky fakt skandaloz ka rezultuar në hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zëvendësit të tij, Klodian Rrjepaj, koncesionarit Ilir Rrjepaj, si edhe disa zyrtarëve të tjerë që janë marrë me procedurat e koncesionit.
Ilir Beqaj, në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, nënshkroi në shkurt 2025 kontratë me kosto koncesionare në shumën 9.7 miliardë lekë të reja. Hetimet zbuluan se kostot janë fryrë në mënyrë fiktive dhe vlera reale e koncesionit përllogaritej në më pak se gjysmën e asaj që është nënshkruar në kontratë, rreth 5 miliardë lekë të reja. Pak kohë më parë, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me një total prej 36 vitesh për tetë prej personave të akuzuar në këtë aferë. Ndërkohë, ish-ministri Ilir Beqja po gjykohet në një proces të veçuar.