SYRI TV/ Bllokohet përsëri rruga në Qafë Thore, rënia e ortekëve vështirëson lëvizjen e mjeteve

Bllokohet përsëri rruga në Qafë Thore. Bllokimi ka ndodhur në zonën e tuneleve, pasi është aktivizuar rënia e orteqeve, duke bërë të rrezikshme dhe të pamundur kalimin në Qafe Thore. Aktualisht është ndërprerë edhe ndërhyrja për pastrimin e dëborës, pasi rënia e tyre rrezikon edhe punëtorët e pastrimit. Ndërkohë në Kukës, është bllokuar rruga e tre fshatrave, Cernaleve, Oreshkë dhe Borje.

Syri TV

Rritja e temperaturave dhe ndikimi i rrezeve të diellit në shpatin malor, ka bërë të mundur riaktivizimin e rënies së ortekëve në zonën e tuneleve panoramike në Qafë Thore. Raportohet se si pasojë është bllokuar segmenti rrugor me një gjatësi prej rreth 5.5 km. Ndërkohë, ndërhyrja për pastrim paraqitet e rrezikshme, deri në stabilizimin e borës në shpatin malor. Rreziku mbetet i lartë dhe në këtë mënyrë qarkullimi në Qafë Thore ndërpritet për të gjitha llojet e automjeteve, deri në një njoftim të dytë.

Ndërkohë, probleme me bllokimin e rrugëve ka edhe në disa zona të Bashkisë Kukës. Rruga e fshatrave Cërnalevë, Oreshkë dhe Borje është e bllokuar prej disa ditësh si pasojë e shkarjeve masive të dherave nga reshjet e shiut dhe dëborës. Banorët thonë se rrezikohen të çahen tubat e hidrocentralit që kalojnë mbi disa shtëpi të rrugës Prisuj. Situata paraqitet e rrezikshme për disa familje në fshatin Cërnalevë, ku dherat janë afruar shumë pranë banesave. Rrëshqitja e dheut ka ndodhur 15 metra poshtë tubave të hidrocentralit. Një situatë e tillë s’ka ndodhur kurrë më parë, thonë banorët.

Burimi ku janë vendosur tubat ka shpërndarë burimin e ujit, duke shkaktuar edhe rrëshqitjen e dheut. Si pasojë e prurjeve të shumta të ujit nga reshjet e shiut dhe dëborës të një jave më parë, janë shfaqur shkarje masive dherash, të cilat po afrohen rrezikshëm pranë banesave, duke qenë kërcënim serioz për sigurinë e banorëve. Këta të fundit kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet.