Tirana rikthehet te fitorja pas 12 javësh, mposht Bylisin në Ballsh

Ka përfunduar me fitoren minimale të Tiranës përballja ndaj Bylisit, e vlefshme për javën e 19-të të Superiores. Në stadiumin “Adush Muça”, bardheblutë triumfuan me rezultatin 0-1, falë golit të realizuar nga mesfushori brazilian Rafael nga pika e penalltisë në minutën e 63-të.

Pjesa e parë u karakterizua nga ekuilibri dhe mungesa e golave, megjithëse të dyja skuadrat krijuan disa raste të rrezikshme. Tirana u përpoq të ishte më kërkuese në fazën ofensive, por pa arritur të zhbllokonte rezultatin në 45 minutat e para.

Në pjesën e dytë, një episod vendimtar nga pika e bardhë i dha mundësinë Rafaelit të shënonte golin që rezultoi edhe përcaktues për fatin e takimit. Redon Xhixha, i afruar gjatë merkatos së janarit, u aktivizua për rreth 70 minuta, por nuk arriti të lërë gjurmë në debutimin e tij.

Me këtë sukses, Tirana shkon në kuotën e 13 pikëve në renditje. Para kësaj sfide, bardheblutë nuk kishin arritur të fitonin për 12 ndeshje radhazi në kampionat. Ky triumf mund të shërbejë si një pikë kthese e rëndësishme për vazhdimësinë e sezonit, në një moment kur lufta për mbijetesë është kthyer në objektivin kryesor për “rekordmenët” e futbollit shqiptar.