SYRI TV/ Inflacioni bazë mbyll 2025 me rritje, shkak rritja e qirave

Presionet ndaj ekonomisë në vend janë rritur për shkak të rënies së eksportit dhe futjes së parave të pisëta duke sjellë edhe rritjen e inflacionit bazë për herë të parë që nga 2022. Kjo rritje e treguesve afatgjatë shfaq një panoramë të zymtë për ekonominë duke dhënë indikacion për rritje të mëtejshme të çmimeve.

SYRI TV
Inflacioni bazë e mbylli në rritje vitin 2025. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, për dhjetorin inflacioni bazë arriti nivelin 3.03%, nga 2.5% një vit më parë. Inflacioni bazë iu kthye rritjes për herë të parë që prej vitit 2022, duke dëshmuar presionet në rritje inflacioniste nga ekonomia e brendshme.

Inflacioni bazë është indikator për të kuptuar tendencat më afatgjata të çmimeve. Paralelisht me inflacionin bazë, edhe inflacioni bazë neto gjatë vitit të kaluar u rrit në 3.47%, nga 2.21 një vit më parë.

Inflacioni zyrtar në Shqipëri, i matur për të gjithë shportën e mallrave të konsumit, e mbylli vitin 2025 në nivelin 2.3%, nga 2.1% një vit më parë.

Presionet inflacioniste më afatgjata, të llogaritura në inflacionin bazë, që po gjenerohen nga ekonomia e brendshme janë më të larta.

Banka e Shqipërisë vlerësonte në dhjetor se faktori kryesor i rritjes së inflacionit bazë dhe atij të brendshëm ka qenë përshpejtimi i çmimit të qirasë. Rritja e qirasë përbën burimin kryesor të presioneve të brendshme inflacioniste.