VIDEO/ Sorensen takohet me Osmanin, u prit edhe nga Kurti

Ka nisur takimi ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe përfaqësuesit të BE-së për dialogun, Peter Sorensen.

Ky takim vjen si vijimësi e agjendës së emisarit evropian në Prishtinë, i cili paraprakisht zhvilloi një bisedë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Në fokus mbeten hapat e radhës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE.

Përfaqësuesi i BE-së për dialog, Peter Sorensen më parë arriti në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Para tij hyri edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ky i fundit u takua me përfaqësuesin e BE-së.

Vizita e Sørensenit në Prishtinë është pjesë e një turi më të gjerë në rajon, gjatë të cilit ai pritet të zhvillojë takime me nivelin më të lartë politik si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

Burime në Bruksel i kanë thënë RTK-së se gjatë qëndrimit në Kosovë, emisari evropian do të takohet edhe me kryeministrin në detyrë, si dhe me përfaqësues të partive opozitare.

Një ditë më pas, të enjten, Sørensen pritet të udhëtojë drejt Beogradit, ku janë planifikuar takime me lidershipin shtetëror serb, ndërsa agjenda e plotë e vizitës atje është ende në proces finalizimi.

Kjo shënon vizitën e parë të Peter Sørensenit që nga marrja e mandatit të dytë si ndërmjetësues i Bashkimit Evropian në procesin e dialogut Kosovë–Serbi.

Gjatë mandatit të parë, ai zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk dhanë fryt.

Mungesa e përparimit në dialog gjatë kësaj kohe iu atribuua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, e jo mungesës së angazhimit të ndërmjetësit evropian.

Pak njerëz në Bruksel besojnë se Kosova dhe Serbia do të jenë të gatshme të angazhohen së shpejti në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Besohet se Kaja Kallas, e cila ende nuk ka ndërmjetësuar ndonjë rund dialogu në nivelin më të lartë politik, do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor, pas një fillimi të vështirë që ka pasur si diplomate kryesore e BE-së.

Marrë parasysh se Brukseli është anashkaluar shpesh në çështje si: bisedimet për paqe për Ukrainën, lufta në Gazë dhe situata në Iran, zyrtarët e BE-së thonë me shaka se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë “fryti më i lehtë” që mund ta arrijë blloku në këtë moment.

Kosova dhe Serbia veçse arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.

Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është e detyrueshme për të dyja palët.

Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut 15-vjeçar./ RTK.