A mund ta vrasë Trump-i Ajatollahun?

Donald Trump u ka thënë protestuesve iranianë se “ndihma po vjen”, duke dhënë sinjalin më të fortë deri tani se SHBA mund të ndërhyjë pas shtypjes brutale të protestave antiqeveritare nga Republika Islamike.

Presidenti amerikan paralajmëroi se “vrasësit dhe abuzuesit” e regjimit do të “paguajnë një çmim të lartë” për represionin, i cili, sipas raportimeve, ka shkaktuar rreth 2000 viktima që nga fillimi i protestave muajin e kaluar.

Edhe pse Trump nuk dha detaje për llojin apo shkallën e ndërhyrjes, në Uashington po shqyrtohen disa opsione: sulme ushtarake, eliminimi i Liderit Suprem Ajatollah Ali Khamenei, si dhe sulme kibernetike kundër regjimit.

Por fillimisht, ai duhet të përcaktojë qëllimin përfundimtar.

“A dëshiron Trump ndryshim regjimi, apo thjesht ta dobësojë Iranin për ta detyruar në një marrëveshje të re bërthamore? Nuk e dimë, dhe kjo krijon pikëpyetje serioze për atë që Amerika mund të bëjë,” thotë Danny Citrinowicz, analist izraelit i mbrojtjes.

SHBA duhet gjithashtu të peshojë rrezikun që ndërhyrja të ketë efekt të kundërt, duke nxitur iranianët të “mblidhen rreth flamurit” dhe duke forcuar pushtetin e qeverisë. Irani ka një histori të gjatë rezistence ndaj ndërhyrjeve të huaja, sentiment që regjimi shpesh e shfrytëzon për t’u legjitimuar.

Goditje simbolike

Një opsion është një sulm i kufizuar, simbolik, për të dërguar mesazh dhe për të përmbushur premtimin e Trump se do të godiste Iranin nëse regjimi do të vriste protestues.

Objektiva të mundshëm përfshijnë bazat e Gardës Revolucionare (IRGC) apo instalime raketore. Për efekt simbolik maksimal, SHBA mund të godasë një objekt zyrtar në Teheran, siç bëri Izraeli duke bombarduar Ministrinë e Inteligjencës gjatë luftës 12-ditore vitin e kaluar.

Një sulm i tillë mund të realizohet me kapacitetet që SHBA tashmë ka në rajon dhe mund të jetë i mjaftueshëm për ta detyruar regjimin të zbusë represionin. Por nëse perceptohet thjesht si simbolik, rrezikon të tregojë se amerikanët nuk janë realisht të gatshëm të përfshihen seriozisht.

Fushatë bombardimesh

Për të ndalur vërtet vrasjet ose për të minuar regjimin, do të kërkohej një fushatë bombardimesh më e gjerë dhe më e qëndrueshme. Kjo do të përfshinte jo vetëm selitë qendrore, por edhe bazat dhe rrjetet e IRGC-së dhe milicisë Basij në mbarë vendin.

Sipas analistëve, objektiv do të ishin aparati represiv i brendshëm, personeli kyç, rrjetet e komunikimit, media shtetërore dhe sistemi gjyqësor. Megjithatë, edhe fushata izraelite e vitit të kaluar, me gati dy javë bombardime, nuk arriti ta rrëzonte regjimin.

Një operacion amerikan do të kërkonte përgatitje shumë më të mëdha ushtarake, të cilat aktualisht nuk duken në terren. Nuk ka një aeroplanmbajtëse amerikane pranë Gjirit Persik dhe as shenja të vendosjes së bombarduesve strategjikë.

Për më tepër, sa më i madh sulmi, aq më i madh rreziku që regjimi të forcohet politikisht nëse mbijeton.

Disa analistë argumentojnë se bombardimet nuk do ta ndalonin dot dhunën në rrugë pa praninë e trupave tokësore. “Do të duhej të dërgoheshin trupa amerikane në Iran, dhe kjo nuk ka gjasa të ndodhë,” thotë Nicholas Hopton, ish-ambasador britanik në Iran.

Eliminimi i Khameneit

Shpresa është që kërcënimi i ndërhyrjes ta detyrojë regjimin të ndryshojë kurs: të ndalë shtypjen dhe të pranojë një marrëveshje të re bërthamore. Shumë figura në establishment e dinë se kriza ekonomike dhe politike nuk mund të zgjidhet pa heqjen e sanksioneve.

Megjithatë, qëndrimi publik sfidues i Khameneit sugjeron se ai nuk është i gatshëm të lëshojë pe. Kjo ngre pyetjen: a do të ketë presion për ta “hequr pengesën”, pra për ta eliminuar Liderin Suprem?

Kjo do të nënkuptonte rrëmbim ose vrasje, një skenar shumë i rrezikshëm. Ndryshe nga rasti i Venezuelës, vrasja e Khameneit mund të hapte një “kuti të Pandorës”, duke nxitur reagime të ashpra nga komunitetet shiite në gjithë Lindjen e Mesme dhe duke vënë në rrezik trupat amerikane.

Sulmi kibernetik

Nëse Trump dëshiron të shmangë një luftë rajonale, mund të zgjedhë një opsion “jo-kinetik”: sulme kibernetike për të thyer bllokadën e komunikimit, për të ndihmuar aktivistët të lidhen me botën dhe për të dobësuar propagandën shtetërore.

Kjo mund të përfshijë futjen e pajisjeve Starlink në Iran ose ndërprerjen e transmetimeve shtetërore. Megjithatë, disa paralajmërojnë se SHBA mund ta ketë humbur momentin e duhur për ta ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve.

Për momentin, pavarësisht kërcënimeve amerikane, zyrtarët iranianë mbeten sfidues, duke paralajmëruar se çdo ndërhyrje do të sillte pasoja të rënda për interesat amerikane në rajon. / The Telegraph – Syri.net