FIER/ Situatë e ndërlikuar në Hasturkas pas daljes së lumit Seman/ 15 banesa ende nën ujë

Situata në fshatin Hasturkas, njësi administrative Libofshë, Bashkia Fier, vijon të mbetet e ndërlikuar edhe 24 orë pas daljes së lumit Seman nga shtrati, ndonëse niveli i ujit ka shënuar një rënie të lehtë.

Sipas banorëve të zonës, uji është ulur rreth 20 cm, por pavarësisht kësaj, 15 banesa vazhdojnë të jenë të përmbytura, ndërsa dëmet janë të konsiderueshme edhe në stane, sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore dhe kultura të mbjella, kryesisht vreshta, ullinj dhe foragjere.

LEXO EDHE: Reshjet e shiut shkaktojnë përmbytje në Libofshë të Fierit, uji hyn në banesa. Banorët thirrje për ndihmë

Banorët shprehen se qeveria duhet të dërgojë sa më parë ekipet e verifikimit, për të evidentuar dëmet e shkaktuara nga përmbytja dhe për të hapur rrugën e dëmshpërblimeve.

Nga ana tjetër, situata mbetet alarmante për shkak të çarjes së argjinaturës në katër pika, secila me gjatësi rreth 25 deri 40 metra, fakt që sipas banorëve përbën një rrezik serioz, pasi parashikohen reshje të reja shiu dhe ekziston frika e një vërshimi të dytë të ujit.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bordi i Kullimit, për të bllokuar çarjet dhe për të shmangur përkeqësimin e situatës.

LEXO EDHE: Çahet argjinatura e lumit Seman në Asturkas: Dhjetëra banesa nën ujë, qindra bagëti të bllokuara

Sipas të dhënave nga terreni, situata po shkon gradualisht drejt normalizimit.

Banorët raportojnë se ka pasur pak shpezë të ngordhura, por nuk ka pasur bagëti të mbytura, falë ndërhyrjes së forcave të ushtrisë, të cilat kanë ndihmuar në largimin e bagëtive nga stane dhe banesa të rrethuara nga uji.

LEXO EDHE: 'Dramë në Libofshë'/ Përmbytjet bllokojnë rrugët, qytetarja mes lotëve: Kam djalin dhe burrin mes ujit

Disa banorë kanë mbetur të izoluar për shkak të përmbytjes, por janë evakuuar dhe sistemuar në zona të sigurta, jashtë rrezikut nga uji.