Superiorja hap siparin e vitit 2026, nga mbijetesa te beteja për kreun, ja ndeshjet e sotme

Emocionet e Kategorisë Superiore rikthehen këtë të mërkurë për vitin 2026, me zhvillimin e ndeshjeve të javës së 19-të. Tri përballje interesante do të luhen sot, ku në fushë do të zbresin si skuadrat e zonës së poshtme, ashtu edhe ato që luftojnë për kreun e renditjes.

Programi i ditës hapet në orën 13:30 me duelin e mbijetesës mes Bylisit dhe Tiranës. Në Ballsh pritet një ndeshje shumë e luftuar, pasi të dyja skuadrat kanë nevojë jetike për tri pikë për t’u larguar nga zona e rrezikut. Çdo rezultat tjetër përveç fitores do të komplikonte edhe më shumë situatën e tyre në renditje.

Në orën 17:00 janë planifikuar dy përballje të forta. Në “Elbasan Arena”, Elbasani pret Flamurtarin, në një ndeshje me ngarkesë emocionale. Verdheblutë eliminuan vlonjatët nga Kupa e Shqipërisë dhe skuadra e drejtuar nga Moriero do të kërkojë hakmarrjen në kampionat.

Në të njëjtën orë, në Shkodër luhet supersfida Vllaznia–Egnatia. Rrogozhinasit synojnë të vazhdojnë marshimin drejt titullit dhe të thellojnë diferencën me vendin e dytë, duke kërkuar fitoren në një transfertë të vështirë. Nga ana tjetër, Vllaznia e drejtuar nga Martini do të kërkojë kthesën, për të marrë tri pikë të rëndësishme dhe për t’u ngjitur përkohësisht në vendin e tretë të renditjes.

Ndeshjet e sotme – Java e 19-të:

Bylis – Tirana 13:30

Vllaznia – Egnatia 17:00

Elbasani – Flamurtari 17:00