Aubameyang rikthehet në Kombëtare, hiqen masat qeveritare të pezullimit
Gaboni ka bërë një hap pas lidhur me vendimet drastike të marra pas eliminimit nga Kupa e Afrikës 2025. Pierre-Emerick Aubameyang dhe Bruno Ecuele Manga janë reintegruar në Kombëtaren gaboneze, pasi kishin qenë të përjashtuar menjëherë pas dështimit në turneun kontinental. Sulmuesi i Olympique Marseille dhe mbrojtësi i Paris 13 Atlético ishin lënë jashtë skuadrës, ndërsa stafi teknik dhe trajneri Thierry Mouyouma ishin shkarkuar. Madje, pas rezultateve zhgënjyese në Marok, e gjithë skuadra ishte pezulluar nga qeveria e Gabonit, pasi Kombëtarja nuk arriti të fitonte asnjë ndeshje në Kupën e Afrikës.
Gaboni ishte ekipi i dytë që u eliminua nga kompeticioni, pas dy humbjeve radhazi në dy ndeshjet e para të grupit: fillimisht humbja 1–0 ndaj Kamerunit dhe më pas disfata 3–2 kundër Mozambikut. Federata e Futbollit e Gabonit bëri të ditur se “masat qeveritare të pezullimit të Kombëtares”, si edhe përjashtimi i dy futbollistëve, janë hequr zyrtarisht ditën e djeshme. Ndërkohë, Thierry Mouyouma dhe stafi i tij teknik mbeten të shkarkuar.
Federata gaboneze shtoi gjithashtu se ministri i ri i Sportit, Paul Ulrich Kessany, i emëruar më 3 janar, ka dërguar një letër ku ka theksuar rëndësinë e angazhimeve të ardhshme, veçanërisht shortin e kualifikueseve për Kupën e Afrikës 2027. Ai i ka kërkuar federatës të ndërmarrë hapa konkretë dhe t’i paraqesë “të gjitha detajet praktike për përzgjedhjen e një stafi të ri teknik”.
Vendimet e ashpra fillestare ishin shpallur publikisht nga ish-ministri i Sportit, Simplice-Désiré Mamboula, i cili kishte njoftuar pezullime, shkarkime dhe përjashtime drejtpërdrejt në televizion pas ndeshjes së fundit të fazës së grupeve ndaj Bregut të Fildishtë, më 31 dhjetor.