Protestat në Iran/ Tafani: Të thuash demokraci, është halucinante! Ndërhyrja ushtarake, një rrezik edhe për rajonin
I ftuar në emisionin e mëngjesit "Kafe Shqeto" në Syri TV, analisti Endri Tafani e cilësoi ndërhyrjen ushtarake në Iran si një mundësi me pasoja katastrofike për rajonin.
Tafani theksoi kompleksitetin e situatës në Iran dhe rreziqet e destabilizimit të mëtejshëm, duke argumentuar se, përkundër përballjes së regjimit me protesta dhe sfida të brendshme, një veprim i tillë mund të shpërthente një luftë civile dhe të shkatërronte më tej ekuilibrin delikat të rajonit.
Gjithashtu ai tha se, ndërkohë që politika e jashtme agresive e Iranit ka krijuar tensione në të gjithë Lindjen e Mesme, ndërhyrja ushtarake mund të çonte në një shpërthim të mëtejshëm të konflikteve, duke sjellë pasoja të paparashikueshme për të gjitha shtetet fqinje.
Për të shmangur këto rreziqe, Tafani u shoreh se një qasje më e matur, duke përfshirë shtimin e sanksioneve ekonomike dhe presionit diplomatic do të detyronte regjimin të bënte lëshime pa ndezur flakët e një lufte totale.
Pjesë nga deklarata:
Atëherë, të thuash që është demokraci është halucinante. Të rinjtë, qytetarët që janë aty, të cilët nuk kanë perspektivë në jetën e tyre, dhe që shikojnë një këshill klerikësh, të cilët marrin vendime për jetën e tyre, janë të papërfshirë. Këta janë klerikë, të cilët po e mbajnë pushtetin dhe po e mbajnë atë me dhunë.
Tani, ajo që po ndodh në rajon dhe, po themi, pjesa e politikës së jashtme të Iranit, nuk është se Irani ka qenë gjithmonë kaq i bukur dhe ka pasur një qëllim për të goditur Islamin, duke sulmuar Iranin. Irani vetë është përplasur me Arabinë Saudite, Emiratet Arabe, dhe me shumë vende të tjera të rajonit, me të cilat ka tentuar të shtrijë influencën. Mjafton të kujtojmë këtu konfliktet që kanë ndodhur në Siri. Po, në Siri, ku Asadi u përpoq të rrëzohej dhe përfundimisht u rrëzua. Fillimisht, kjo ndodhi përmes lëvizjes së Vëllazërisë Myslimane, nga e cila më pas doli ISIS-i. Po ashtu, Jolani, për shembull, ka qenë një nga drejtuesit e ISIS-it. Dhe nuk mund të thuhet që Jolani ka pasur qëllimin për të rrëzuar Islamin duke goditur Asadin.
Një situatë e tillë ka ndodhur edhe në Irak, ku kemi pasur një përplasje midis shiitëve dhe sunive. Duhet kuptuar që në këtë ndarje të madhe të Islamit, Irani ka nxitur dhe më tej këtë përplasje dhe përçarje midis grupimeve fetare. Kjo është një ndër arsyet pse dhe vetë vendet e rajonit kanë kundërshtuar influencën e Iranit, sepse kjo ndarje ka filluar që pas vdekjes së...
Gjithashtu, asnjëra nga këto nuk mjafton kurrë. Duhet gjithmonë një moment i brendshëm. Po, patjetër që duhet momenti i brendshëm. Problemi është se, kur shteti është i gatshëm të përdorë armët, çfarë kuptimi ka protesta jote nëse tjetri merr mitralozin dhe të qëllon mes turmës? Ky është një problem që është i vështirë për t'u zgjidhur pa një ndërhyrje të jashtme.
Sa do të jetë i mundur ky ndërhyrje dhe çfarë efektiviteti mund të ketë? Shiko, Irani vetë nuk është një shtet homogjen. Në Iran ka Azerbejdjan, ka Kurdë, ka popullsi të tjera dhe feja dominueshëm shiite, por nuk është se gjithë Irani është i tillë. Ka edhe sunni që jetojnë aty. Irani është një mozaik në të cilin persët janë grupi kryesor, por pjesa tjetër janë pakica etnike, kulturore dhe fetare.
Një ndërhyrje nga jashtë mund të sjellë një kaos të brendshëm. Për shembull, kurdët kanë pasur kryengritje në Iran, dhe një nga elementët e luftës Iran-Irak ka qenë edhe ndihma që Iraku u ka dhënë kurdëve që jetojnë aty. Ka pasur riaktivizim të këtyre elementëve.
Po, ideja është që, edhe po të ndërhyhet nga jashtë, kjo situatë me mozaikun që ekziston mund të çojë në një luftë të përgjithshme, ku secili grup mund të kërkojë të marrë pjesën e vet dhe kjo mund të shkaktojë destabilizim. Nuk është e thjeshtë të bësh një goditje të tillë, përveç faktit që regjimi ka trupat e tij, si Garda Revolucionare e Iranit, që numëron rreth 200,000 ushtarë. Po ashtu, ka mbështetje nga ata besimtarë që ende besojnë te Khamenei dhe te feja shiite.
Pra, është një situatë ndryshe nga ajo që ndodh në Venezuela, ku mund të shkosh, të kapësh Madurën dhe ata që janë pas tij mund të ndryshojnë qëndrim sipas asaj që thua. Për këtë arsye, një nga veprimet e para të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë vendosja e sanksioneve. Në një situatë ku ekonomia është e rënduar, shtimi i sanksioneve mund të shtojë presion mbi qeverinë, e cila mund të fillojë të negociojë për një zbutje të qëndrimit apo për një hapje të vendit.
Pra, po tentohet të arrihet një rezultat politik nëpërmjet këtyre shtrëngimeve ekonomike, sepse ndërhyrja ushtarake është jashtëzakonisht e komplikuar dhe shumë e vështirë për t'u realizuar, duke pasur parasysh që Irani ka një territor prej 1.3 milion km² dhe një popullsi prej 90 milion njerëzish. Po ashtu, bomba bërthamore është një argument i fuqishëm. Ndërkohë, Jazexhiu ka vënë re një moment ndarje edhe në Perëndim sa i takon trajtimit të çështjes së Iranit.