Guardiola sulmon VAR-in: Katër persona nuk arritën të vendosnin sepse vija ishte…
Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, shprehu zemërimin e tij ndaj VAR-it, duke thënë se nuk e kupton pse ndërhyri për të anuluar golin e dytë të Antoine Semenyo-s në fitoren ndaj Newcastle në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Ligës, ndërkohë që nuk veproi njësoj në një tjetër përballje mes dy skuadrave në fillim të sezonit.
Pas ndeshjes, Guardiola u pyet për vendimin e anulimit të golit dhe u shpreh me ironi: ‘Është një pyetje e mirë’.
Trajneri spanjoll kujtoi më pas një episod nga ndeshja e Premier League kundër Newcastle, të cilën City e humbi 2–1 në “St James’ Park”:
“Do të doja të dija pse, në atë ndeshje, kur rezultati ishte 0–0 dhe po luhej minuta e 60-të, pati një penallti shumë të qartë nga Schar ndaj Phil Foden që as nuk u mor në konsideratë nga VAR-i”.
Guardiola përmendi edhe një tjetër rast:
“Në minutën e 20-të pati një penallti të pabesueshme pas një goditjeje të Jeremy Doku, me prekje të topit me dorë nga Thiaw, dhe VAR-i përsëri nuk ndërhyri”.
Me tone ironike, ai shtoi:
“Sot, katër persona nuk arritën të vendosnin sepse vija ishte… nuk e di si, ndërsa goli i dytë që Newcastle shënoi në ndeshjen e kampionatit ishte perfekt. Atje vija ishte perfekte”.
Guardiola theksoi se nuk ka reaguar më parë në raste të ngjashme:
“Thashë gjë kur humbëm këtu 2–1? Jo. Thashë gjë kur, në finalen e Kupës së Anglisë ndaj Crystal Palace, Henderson mori karton të kuq rreth minutës së 30-të apo të 40-të? Jo. Por gjithçka është në rregull, nuk ka problem”.
Megjithatë, Guardiola pranoi meritat e kundërshtarit:
“Meritë Newcastle. Mund të them se e fituan me meritë ndeshjen e Premier League. Por pse VAR-i nuk ndërhyri në ato dy raste? Ndërsa sot u deshën më shumë se gjashtë minuta dhe as nuk na u lejua të diskutonim me arbitrin. Gjithsesi, ata do të më telefonojnë. Do të duan të ma shpjegojnë”, përfundoi ai.
Goli që do të ishte 2–0, dopieta e Semenyo-s, u anulua pas gjashtë minutash verifikimi për një pozicion jashtë loje milimetrik të Haaland-it, të cilin arbitri e konsideroi ndikues në aksion, pasi pengoi lëvizjen e një mbrojtësi, edhe pse nuk e preku topin.
Pavarësisht golit të anuluar, Manchester City u largua nga Newcastle me një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit.