Gabimi në zbritjen e parë i kushton pozicione, Lara Colturi mbyll sllallomin e Flachau në vendin e tetë
Në pistën austriake të Flachau u zhvillua gara e sllallomit për femra, e vlefshme për Kupën e Botës në ski alpine. Përfaqësuesja kuqezi, Lara Colturi, zhvilloi një garë me dy pamje, duke u renditur përfundimisht në vendin e tetë pas dy zbritjeve.
Në zbritjen e parë, skiatorja shqiptare u penalizua nga një gabim në mes të pistës, çka ndikoi ndjeshëm në renditje. Ajo e mbylli këtë pjesë të garës në vendin e 16-të, me kohën 58”88, duke mbetur larg pozicioneve të kreut.
Në zbritjen e dytë, Colturi reagoi në mënyrë të shkëlqyer, duke treguar nivel të lartë teknik dhe ritëm të mirë. Me kohën 63”77, ajo arriti të rikuperojë disa pozicione dhe të ngjitet ndjeshëm në renditje.
Në përfundim, me kohën e përgjithshme 1’52”65, Lara Colturi u rendit e teta, një rezultat pozitiv që konfirmon formën e mirë të këtij sezoni. Deri tani, skiatorja kuqezi ka regjistruar katër podiume në garat e Kupës së Botës, duke u shfaqur si një nga emrat më të qëndrueshëm të elitës së sllallomit për femra.