Romës nuk i mjafton Arena, Torino kalon në çerekfinale

Në “Olimpico” ndodhi gjithçka. Torino mposhti Romën 3–2 në minutat e fundit dhe siguroi kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Italisë, ku do të përballet me Interin. Një ndeshje e çmendur, plot emocione dhe përmbysje, që u vendos vetëm në sekondat e fundit.

Roma pati rastin e parë të pastër me Pisilli-n, por Paleari u tregua i vëmendshëm. Edhe El Shaarawy provoi rreth minutës së 30-të, por Torino e bëri të vështirë qarkullimin e topit për verdhekuqtë dhe në minutën e 35-të kaloi në avantazh. Vlasic shërbeu saktë për Che Adams, i cili me një goditje të fortë nga jashtë zone mposhti Svilar-in për 0–1.

Në pjesën e dytë, Gian Piero Gasperini hodhi në fushë lojtarë si Ndicka dhe Hermoso, me spanjollin që u bë menjëherë protagonist. Në minutën e 46-të ai barazoi shifrat me një gol spektakolar, duke rikthyer shpresën për Romën. Por entuziazmi zgjati pak, sepse në minutën e 52-të Che Adams realizoi ‘dopietën’ personale. Pas krosimit nga Lazaro dhe asistit të dytë të Vlasic, sulmuesi skocez goditi sërish saktë, duke përfituar edhe nga një ndërhyrje joperfekte e Svilar-it.

Roma dukej pranë eliminimit, por në minutën e 81-të erdhi momenti magjik i mbrëmjes: 16-vjeçari Antonio Arena, i lindur në Australi, shënoi golin e 2–2 me kokë pas krosimit të Wesley-t, duke realizuar në topin e parë të prekur.

Kur gjithçka po shkonte drejt penalltive, Torino dha goditjen finale. Në minutën e 90-të, pas një goditjeje nga këndi, Svilar la topin të lirë pas tentativës me kokë të Casadeit dhe Ilkhan e shtyu topin në rrjetë nga afër, duke vulosur kualifikimin. Roma eliminohet në shtëpi, ndërsa Torino feston dhe shkon në çerekfinale përballë Interit.