Oklahoma dominon Spurs në krye, Lakers rikthehen me LeBron e Donçiç, fitojnë edhe Warriors, Miami dhe Houston

Mbrëmja e NBA-së solli përballje të forta dhe rezultate domethënëse, me Oklahoma City që doli fituese në duelin e kreut ndaj San Antonio Spurs. Oklahoma triumfuan bindshëm 119–98 në sfidën mes dy skuadrave më të forta të Perëndimit, duke konfirmuar formën e shkëlqyer. Kampionët kontrolluan ndeshjen nga fillimi në fund, ndërsa Shai Gilgeous-Alexander ishte sërish vendimtar me 34 pikë, duke udhëhequr ofensivën me autoritet.

Pas tri humbjesh radhazi, rikthimin te fitorja e shënuan Los Angeles Lakers, që mposhtën Atlanta Hawks me shifrat e thella 141–116. Dy 'yjet' e kalifornianëve bënë diferencën: LeBron James realizoi 31 pikë dhe shpërndau 10 asistime, ndërsa Luka Donçiç kontribuoi me 27 pikë, në një paraqitje që tregoi qartë forcën sulmuese të Lakers.

Fitore të rëndësishme siguruan edhe Miami Heat, të cilët kaluan 127–121 Phoenix Suns pas një ndeshjeje të luftuar. Bam Adebayo me 29 pikë dhe Norman Powell me 27 pikë ishin figurat kyçe për Miami. Golden State Warriors, nga ana tjetër, nuk patën shumë vështirësi ndaj Portland, duke fituar 119–97, me Melton protagonist falë 23 pikëve.

Vijon momenti i vështirë për Milwaukee, që pësoi një humbje të rëndë 139–106 ndaj Minnesota Timberwolves, ku Randle shkëlqeu me 29 pikë. Ndërkohë, Houston Rockets morën një fitore të vlefshme 119–113 ndaj Chicago-s, të udhëhequr nga treshja Durant–Sengun–Thompson, që realizuan së bashku 74 pikë.

Rezultatet e plota:

Miami – Phoenix 127–121

Houston – Chicago 119–113

Milwaukee – Minnesota 106–139

New Orleans – Denver 116–132

Oklahoma – San Antonio 119–98

Lakers – Atlanta 141–116

Golden State – Portland 119–97