Ish-prokurori Beçi: SPAK nën hijen e prioriteteve amerikane, drejtësia është e kushtëzuar...

Ish-prokurori Eugen Beçi, i ftuar në emisionin “A Krasta Show” në Syri TV me Adi Krastën, deklaroi se Prokuroria e Posaçme ka sjellë një realitet të ri në Shqipëri, duke ndryshuar qasjen ndaj ligjit, drejtësisë dhe ndëshkimit të korrupsionit.

Sipas Beçit, ky realitet është ndërtuar nga mbështetja ndërkombëtare, veçanërisht asaj amerikane, dhe prioriteteve të saj në luftën kundër narkoterrorizmit, i cili lidhet drejtpërdrejt me korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke ndikuar kështu në shkëputjen e lidhjeve mes politikës dhe botës kriminale.

Eugen Beçi: Prokuroria e Posaçme ka krijuar një realitet të ri sot. Sot që flasim, ka krijuar një realitet të ri. Ka krijuar një realitet të ri në politikën shqiptare. Ka krijuar një realitet të ri për mënyrën se si duhet të sillet shoqëria shqiptare karshi ligjit dhe karshi mënyrës se si duhet të hetohet dhe se si duhet të dënohet korrupsioni, ose se si duhen ndëshkuar personat nëpërmjet drejtësisë. Përse e ka krijuar këtë realitet të ri? E ka krijuar këtë realitet të ri për shkak të mbështetjes ndërkombëtare dhe veçanërisht për shkak të mbështetjes amerikane. Dhe ne duhet të jemi shumë të qartë dhe ju keni përvojë dhe unë kam përvojë në shumë pjesë të caktuara.

Në rast se unë jam sponsori jot dhe unë ndryshoj direktivën time, ndryshoj interesat e mia në raport me veten time, me brendësinë e punëve të mia, sigurisht që do t'i reflektoj dhe tek ty. Sepse unë prandaj kam sponsorizuar, që t'i reflektoj tek ty dhe në gjashtë muaj unë të kem prioritet luftën kundër terrorizmit dhe them, hajde këtu, unë të kam mbështetur, unë të kam krijuar, do më merresh me terrorizmin, nuk më duhet ç'bëhet me kanabizimin e vendit. Dhe diçka e tillë ka ndodhur. Hajde këtu, nesër do më merresh me luftën kundër narkotrafikut, se shefi im në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, narkotrafikun e ka quajtur terrorizëm.

Dhe për këtë arsye, mënyra se si ne shqiptarët duhet të shfrytëzojmë prioritetet e sponsorëve tanë, është më e rëndësishme sesa prioritetet që sponsorët tanë kanë. Dhe ç'do të thotë kjo? Në rast se jemi në një moment ku administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që është mbështetësi, ta quani ju, sponsori, ta quani ju, ai që e mban në fuqi Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatën e Posaçme, ka prioritet luftën kundër narkoterrorizmit, se kështu është quajtur tashmë narkoterrorizëm, atëherë ne kemi një fat shumë të mirë historik, që këtë narkoterrorizëm që ne e kemi parë që është i lidhur drejtpërsëdrejti me korrupsionin, me pastrimin e parave, ne ta shfrytëzojmë këtë mbështetje amerikane për të luftuar narkoterrorizmin dhe për të shkuar te lufta kundër korrupsionit.

Dhe kam përshtypjen që Prokuroria e Posaçme jo tani, po të paktën dy-tre vitet e fundit e ka kuptuar këtë gjë. E ka kuptuar faktin që të luftosh krimin e organizuar dhe drejtpërsëdrejti narkoterrorizmin, qoftë do apo nuk do ti në mënyrë indirekte, ti ke ndërhyrë te lufta kundër korrupsionit. Në mënyrë indirekte ti ke ndërhyrë për të shkëputur atë lidhjen e frikshme mes politikës dhe krimit të organizuar.