Sulmet në Budapest - Anëtarët e dyshuar të Antifa-s dalin në gjyq në Gjermani
Gjashtë anëtarë të dyshuar të Antifas dolën në gjyq në qytetin gjerman të Dusseldorfit të martën, me akuza që përfshijnë tentativë vrasjeje, formimin e një organizate kriminale dhe shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore.
Të pandehurit, një burrë dhe pesë gra të moshës 22 deri në 24 vjeç, akuzohen për sulm dhe plagosje të neo-nazistëve në një tubim të krahut të djathtë në kryeqytetin hungarez, Budapest në vitin 2023.
Gjyqi filloi në krahun e sigurisë së lartë të Gjykatës së Lartë Rajonale, mes një interesi të madh publik. Përpara se të fillonte gjyqi, disa spektatorë shprehën mbështetje për të pandehurit, duke i përshëndetur ata me duartrokitje.
Dy nga të akuzuarit mbanin në dorë dosje me mbishkrimin “Solidaritet me Majën”, duke iu referuar një të dyshuari që aktualisht përballet me gjyq në Hungari për incidentet në Budapest. Në Dresden janë duke u zhvilluar procedura të veçanta, kundër anëtarëve të tjerë të dyshuar të grupit të njohur si Antifa-Ost.
Meqenëse katër nga gjashtë të pandehurit ishin adoleshentë në kohën e kryerjes së veprës penale, gjykata ndërpreu seancën për të diskutuar mundësinë e mbylljes së gjyqit për publikun.
Gjykata përfundimisht vendosi të mbajë një seancë dëgjimore publike.
Prokurori Publik Federal e ka klasifikuar Antifa-Ost, si një organizatë militante ekstremiste e krahut të majtë. Grupi është përcaktuar gjithashtu si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.
Prokurorët pretendojnë se disa njerëz në Budapest u sulmuan duke përdorur grushte, shkopinj gome dhe çekiç.
Përveç incidenteve të Budapestit, të cilat ndodhën në margjinat e një takimi ndërkombëtar të ekstremistëve të krahut të djathtë, të pandehurit dyshohet se kanë sulmuar dhe plagosur një shitëse që punonte në një dyqan veshjesh në qytetin gjerman të Erfurtit, i cili njihej për shitjen e një marke që shpesh vishej nga ekstremistët e krahut të djathtë.
Avokatët mbrojtës i kanë kritikuar akuzat, duke i quajtur ato “të tepërta”./ DPA News.