Klopp ‘ngushëllon’ Xabi Alonson: Të pasosh Ancelottin është jashtëzakonisht e vështirë
Jurgen Klopp ka reaguar ndaj thashethemeve që e lidhin me një të ardhme te Real Madridi, pas largimit të Xabi Alonsos nga stoli i “Los Blancos”.
Gjermani, aktualisht drejtor global i futbollit në grupin Red Bull, ka qenë i prerë duke theksuar se spekulimet nuk kanë asnjë lidhje me të.
“Kjo nuk ka të bëjë fare me mua dhe nuk më prek aspak”, u shpreh ish-trajneri i Liverpoolit në një intervistë për rrjetin televiziv austriak Servus TV, duke minimizuar zërat që prej kohësh e kanë lidhur me stolin e “Santiago Bernabeut”.
Klopp nënvizoi se është plotësisht i kënaqur me rolin e tij aktual, larg presionit të përditshëm të pankinës.
“Pozicionet e trajnerëve ndryshojnë vazhdimisht. Është mirë të vëzhgosh nga distanca, pa u shqetësuar se çfarë do të thotë kjo për ty personalisht. Vendi ku jam tani është vendi i duhur për mua”, shtoi ai, duke mbyllur derën për çdo rikthim të afërt në rolin e trajnerit.
Përtej situatës së tij personale, Klopp shprehu empati për Xabi Alonson, i cili u largua nga Real Madridi vetëm gjashtë muaj pas emërimit, pas një periudhe shumë të suksesshme te Bayer Leverkusen.
“Është një shenjë që jo gjithçka ka qenë në rregull nëse Xabi Alonso, i cili për më shumë se dy vite tregoi në Leverkusen se çfarë trajneri i jashtëzakonshëm është, duhet të largohet nga Real Madridi pas vetëm gjashtë muajsh”, tha Klopp.
Ai theksoi se trashëgimia e Carlo Ancelottit e bëri misionin tepër të vështirë për pasardhësin e tij: “Kur merr drejtimin pas një trajneri legjendar si Ancelotti, me një stil shumë të qartë menaxhimi, është jashtëzakonisht e vështirë të vish dhe të ndryshosh gjithçka. Kjo e komplikoi shumë situatën për Xabi Alonson. Vërtet më vjen keq për të, sepse mendoj se është një trajner i shkëlqyer”, përfundoi Klopp.