Ç’do bëjë tani Begaj, që kërkoi interpretim për të gjithë gjyqtarët, ndërsa Kushtetuesja foli vetëm për dy?!

Nga Petrit Vasili

Gjykata Kushtetuese po shkon poshtë e më poshtë në rrugën e degradimit të saj institucional dhe moral.

Rasti më i fundit është ai i kërkesës së presidentit Begaj, që kërkoi interpretimin e të gjithë mandateve të gjyqtarëve të Kushtetueses.
Esenca e vendimit të zbardhur të shumicës së Gjykatës Kushtetuese është paragrafi i fundit i pikës 3 të dispozitivit të shumicës, në të cilin thuhet se: “Fillimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese përgjatë këtij regjimi tranzitor përkon me datën e deklaruar nga Gjykata Kushtetuese të mbarimit të mandatit të gjyqtarit që ai zëvendëson”.

Vendimi i Gjykatës është vërtet qesharak në kufijtë e imbecilitetit, duke u sjellë si pazari i gjësë së gjallë, sepse merr përsipër të trajtojë kërkesën e Begajt, që kërkonte për të gjithë dhe në fund vendos vetëm për Sonila Bejten dhe Elsa Tosken, që tashmë ishte larguar.
Po kohëzgjatja e mandateve të tjera, përse nuk u vendos siç kërkonte Begaj?
Më konkretisht, po për Marsida Xhaferllarin, Fiona Papajorgjin, Ilir Toskën, Sandër Becin dhe Mariana Seminin, përse nuk u vendos se sa u shkurtohet kohëzgjatja e mandateve të tyre, ashtu siç kërkonte Begaj në letrën e tij?

Por shumica në Gjykatën Kushtetuese, tamam si në një pazar ordiner, ka votuar për të mbrojtur veten dhe mandatet e tyre dhe ka shitur në mënyrë totalisht antikushtetuese dhe antiligjore dy mandatet e Bejtes dhe Toskes.
Shumica e pazarxhinjve ka arritur nivele kaq të larta debiliteti dhe guximi të çmendur sa që në paragrafin 55 të vendimit, vendos të mos e marrë në konsideratë as opinionin e Komisionit të Venecias, për të justifikuar një vendim tërësisht idiot, klientelist dhe korporatist.

Shumica në Kushtetuese, si një çetë diversantësh, nuk pyet fare që ligji për Gjykatën Kushtetuese kishte mbaruar së ekzistuari në vitin 2022 dhe i referohet pra një ligji që nuk ekziston më. Kuvendi i Shqipërisë është i vetmi institucion kushtetues në Shqipëri që mund të miratojë një ligj të ri, ndërsa shumica në Gjykatën Kushtetuese, në emër të një pazari të ndyrë, vendos mbi ligje të vdekura.

Pyetja e madhe sot është:
Çfarë do të bëjë tani Begaj, që me një zell arrogant të papërmbajtur iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar kohëzgjatjen e mandatit të të gjithë anëtarëve, sikurse thoshte në letrën e tij të janarit 2025 se:
"Por, Gjykata Kushtetuese nuk ka shprehur në analizën e saj asnjë konkluzion lidhur me impaktin që arsyetimi i saj për “parimin organizativ të përtëritjes së rregullt të pjesshme” dhe për “lidhjen mes mbarimit të mandatit të gjyqtarit paraardhës dhe fillimit të qëndrimit në detyrë të gjyqtarit të ri” ka mbi mandatet e të gjithë gjyqtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese.

Sikurse u shtjellua më lart, të gjithë gjyqtarët kushtetues ndodhen aktualisht në kushtet e humbjes së kësaj lidhjeje dhe, për këtë shkak, kohëzgjatja 9-vjeçare e mandatit të secilit prej tyre shtrembëron zbatimin e parimit të përtëritjes së rregullt të pjesshme të Gjykatës".

Përfundim:
Në rast se Begaj ka një minimum dinjiteti e lojaliteti dhe një minimum përgjegjësie shtetërore si president, duhet urgjentisht të kërkojë detyrimisht që Gjykata Kushtetuese të shprehet për kohëzgjatjen e të gjithë mandateve të anëtarëve të saj, ashtu siç ishte edhe kërkesa e tij, e cila vuri në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.
Në rast se Begaj nuk e bën këtë, do të vulosë përfundimisht faktin që letra e tij e janarit 2025 dhe shumica e gjyqtarëve në Kushtetuese, që votuan vetëm për shkurtimin e mandateve të Bejtes dhe Toskes, por jo për veten e tyre, janë pjesë e një skenari mafioz antishtetëror për rrëmbimin e dy mandateve në Kushtetuese dhe atëherë SPAK i ka që të gjitha indiciet e duhura që të fillojë të hetojë në mënyrë të thelluar dhe me urgjencë këtë puç shtetëror.