Antonio Conte pezullohet me dy ndeshje pas kartonit të kuq ndaj Interit
Gjykatësi sportiv i Serie A ka vendosur të dënojë me dy ndeshje pezullim trajnerin e Napolit, Antonio Conte, pas kartonit të kuq të marrë në fundin e ndeshjes ndaj Interit, e zhvilluar të dielën e kaluar.
Si pasojë e këtij vendimi, Conte nuk do të jetë në stol për përballjet e ardhshme të Napolit kundër Parma dhe Sassuolo.
Në motivacionin zyrtar të dënimit thuhet se trajneri u ndëshkua: “Për faktin se në minutën e 26-të të pjesës së dytë iu drejtua zyrtarëve të ndeshjes me fraza të padenja. Pas ndëshkimit, goditi fort një top, iu afrua në mënyrë intimidues gjyqtarit të katërt, duke protestuar hapur dhe duke përdorur sërish shprehje të pahijshme. E njëjta sjellje u përsërit edhe në tunelin që çon drejt dhomave të zhveshjes, ku vazhdoi të sulmonte zyrtarët e ndeshjes”.
Antonio Conte u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri Daniele Doveri pas akordimit të penalltisë në favor të Interit, e dhënë pas rishikimit në VAR për faullin e Amir Rrahmanit ndaj Henrikh Mkhitaryan.
Trajneri i Napolit e kundërshtoi ashpër vendimin dhe iu drejtua në mënyrë direkte gjyqtarit të katërt, Colombo, duke e quajtur vendimin “turp”.