‘Groenlanda zgjedh Danimarkën’, Nielsen: Ta kenë të qartë të gjithë, territori s’dëshiron të jetë pjesë e SHBA-së!
Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, përsëriti se Groenlanda nuk është në shitje dhe këmbëngul se nëse territori do të duhej të bënte një zgjedhje, atëherë do të “zgjidhte Danimarkën mbi SHBA-në”. Këtë madje e bëri shumë të qartë për të gjithë në mesazhin që dha.
"Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë: Groenlanda nuk dëshiron të jetë në pronësi të SHBA-së, Groenlanda nuk dëshiron të qeveriset nga SHBA-ja, Groenlanda nuk dëshiron të jetë pjesë e SHBA-së...Ne zgjedhim Groenlandën që njohim sot, e cila është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës”, tha Jens-Frederik Nielsen në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministren daneze Mette Frederiksen në Kopenhagen.
Frederiksen theksoi se nuk kishte qenë e lehtë të përballohej "presioni krejtësisht i papranueshëm nga aleatët tanë më të ngushtë".
Nuk mund të zhvendosësh kufijtë me forcë dhe nuk mund të blesh një popullsi, tha ajo.
"Pjesa më e vështirë është ende përpara nesh," paralajmëroi ajo.
Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen do të takohet të mërkurën në Uashington me zëvendëspresidentin e SHBA-së JD Vance dhe sekretarin e shtetit të SHBA-së Marco Rubio për të diskutuar pretendimet e SHBA-së për ishullin e qeverisur në mënyrë autonome, i cili i përket Danimarkës.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, pritet gjithashtu të marrë pjesë në takim.
Nëse bisedimet e drejtpërdrejta do të sjellin ndonjë lehtësim të tensioneve është e paqartë. Situata është shumë serioze dhe presioni mbi popullsinë e Groenlandës është jashtëzakonisht i lartë, tha Nielsen.
Megjithatë, Groenlanda mbështet Danimarkën dhe të dy vendet do të hyjnë së bashku në bisedimet me Uashingtonin - dhe gjithashtu do të largohen së bashku.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar përsëri ditët e fundit se do të aneksojë Groenlandën, duke përmendur interesat e sigurisë kombëtare. Kohët e fundit ai e bëri të qartë se po kërkon pronësi afatgjatë të ishullit Arktik.
“Pronësia është shumë e rëndësishme”, tha Trump, një manjat i pasurive të paluajtshme, për New York Times javën e kaluar.
Danimarka dhe Groenlanda kanë hedhur poshtë me forcë pretendimet e Trump për pronësinë për javë të tëra, me mbështetjen e partnerëve të shumtë evropianë, përfshirë Gjermaninë./ DPA News.