Sharka: Përmbytjet dhe keqmenaxhimi po e çojnë bujqësinë shqiptare drejt kolapsit

Eduart Sharka, drejtues i sektorit të politikave agrare në Departamentin e Bujqësisë të Partisë Demokratike, në një intervistë për Syri TV me gazetarin Edvin Parruca, e përshkruan gjendjen e bujqësisë dhe zonave rurale si dramatike, veçanërisht pas fatkeqësive të fundit natyrore.

Ai thekson se përtej ndikimit të ndryshimeve klimatike, sektori po vuan nga mungesa e politikave të drejta shtetërore, keqmenaxhimi i infrastrukturës dhe dështimi i qeverisë për të dëmshpërblyer fermerët, duke sjellë pasoja të rënda për prodhimin bujqësor dhe ekonominë rurale.

Eduart Sharka: Po gjendja në total të sektorit të bujqësisë dhe zonave rurale është ajo që ju parashtruat. Mund të thoja që është një gjendje dramatike, sidomos mbas këtyre ndodhjeve të fundit natyrore. Situata, po e fillojmë nga dëmet, nga fatkeqësitë natyrore. Është një fenomen i njohur në bujqësi. Demet nga fatkeqësitë natyrore është një nga problemet në bujqësi edhe është problem i diskutuar dhe unë do të thosha që pika e tretë apo pilastri i tretë i politikës agrare të përbashkët të Bashkimit Europian, që është politika më e vjetër e këtij institucioni dhe që funksionon nga dita e parë e themelimit të Bashkimit Europian, është përshtatja e sektorit me ndryshimet klimatike, sepse pritet, ndryshimet klimatike do jenë të pranishme në fenomene më intensive dhe një nga politikat thashë, është që përshtatja e bujqësisë me adaptimin me këto ndryshime. Mirëpo tek ne nuk mund të flasim vetëm në këtë aspekt sepse tek ne ka politika totale të gabuara në sektor. Unë po mundohem të sqaroj fillimisht tek fatkeqësitë natyrore.

Sindikata që unë drejtoja e ka patur një nga pesë pikat kryesore. Pesë kërkesa i kemi drejtuar qeverisë atëherë dhe një nga kërkesat ka qenë dëmshpërblimi i fermerëve nga demet e pësuara nga fatkeqësitë natyrore dhe pagesa e primit të sigurimit dhe këtë nuk e kemi shpikur. Unë po ju marr krahasim vetëm Kosovën. Para dy vitesh atje pati dëme nga ngrica dhe bujqësia në Kosovë nuk është në stadin e bujqësisë tonë, nuk ka peshën që sektori ka në ekonominë tonë. Dha 3 milionë euro dëme nga fatkeqësitë natyrore, pa shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Ndërkohë që primin e sigurimit e paguan qeveria. Kjo është qasja e qeverisë së Kosovës, por kjo është qasja e qeverive të Ballkanit dhe patjetër e Bashkimit Europian siç ju thashë në fillim.

Tani jemi në një situatë absurde. Është një situatë me dy kahe. Në rast se është dëm, është fatkeqësi natyrore, ka reshje të jashtë normalitetit siç thotë qeveria dhe është faktori, ky është faktori i përmbytjeve, atëherë qeveria duhet të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme mbas ligjit për emergjencat civile dhe fermerët të dëmshpërblehen në bazë nenit 42 të këtij ligji. Mirëpo çfarë ndodh? Qeveria nuk e shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore, ndërkohë që shkaktar bën ndodhitë natyrore. Mirëpo të dhënat nga terreni dhe faktet e pakundërshtueshme janë që shkak kryesor i këtyre përmbytjeve të fundit, sidomos në Myzeqe, nuk është sasia e madhe e shiut, por është keqmenaxhimi i digave të hidrocentraleve të Banjës dhe të Moglicës dhe të mospastrimit të kanaleve kulluese. Në Lushnjë janë përmbytur sera, është dëmi më i madh i shkaktuar në bujqësi sepse serat janë, janë sipërfaqe të prodhimit intensiv, kanë dhe dëme jashtëzakonshëm, që janë përmbytur nga mungesa e pastrimit të kanaleve dhe nga keqmenaxhimi i digave.