Mbyllen përkohësisht disa aeroporte në Europë

Aeroportet në Budapest, Hungari, Bratislavë, Sllovaki, dhe Vjenë, Austri, u detyruan të mbylleshin përkohësisht për shkak të kushteve atmosferike të pafavorshme.

Një shtresë e trashë akulli u formua në pistat e fluturimit në Vjenë dhe, pavarësisht përpjekjeve për pastrimin e saj, ajo vazhdonte të ngrinte sërish, bënë me dije autoritetet. Si pasojë, fluturimet u devijuan drejt aeroporteve të tjera.

Kjo situatë ka shkaktuar radhë të gjata pritjeje për orë të tëra për pasagjerët.

Ngricat shkaktuan gjithashtu probleme të mëdha në Europën Lindore. Aeroporti i Pragës njoftoi se shumë fluturime janë shtyrë ose janë anuluar.

Edhe aeroporti i Bratislavës u detyrua të mbyllej përkohësisht për shkak të ngricave. Në aeroportin e Budapestit, fluturimet u anuluan për shkak të shqetësimeve për sigurinë që lidhen me kushtet e motit.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar po përballet prej disa ditësh me mot të keq. Zyra Meteorologjike ka lëshuar një paralajmërim të verdhë për akull që mbulon pjesën më të madhe të Skocisë perëndimore dhe veriore.

Bora dhe reshjet e dendura kanë shkaktuar gjithashtu dëme të mëdha në të gjithë Europën Qendrore dhe Lindore.