Kaloi Wilt Chamberlain, Kevin Durant në histori, ‘anti-LeBron’-i i NBA-së
Kevin Durant vazhdon të shkruajë historinë e NBA-së, edhe në moshën 37-vjeçare. Me një trepikësh të vështirë ndaj Portlandit, “KD” ka kaluar Wilt Chamberlain dhe është ngjitur në vendin e shtatë të realizuesve më të mirë të të gjitha kohërave në ligë, një arritje që e vendos përfundimisht mes legjendave të basketbollit botëror.
Durant është një nga shënuesit më të pastër dhe më vdekjeprurës që ka njohur NBA-ja: 211 centimetra gjatësi, krahë shumë të gjatë, elegancë në lëvizje dhe aftësia për të shënuar nga çdo pozicion i parketit. Gjuajtja e tij, që nis nga një pikë shumë e lartë, e bën pothuajse të pamundur për t’u ndalur. Jo rastësisht, ai është përfshirë edhe në listën e 75 lojtarëve më të mirë të historisë së NBA-së, me rastin e 75-vjetorit të ligës.
Edhe pse shpesh krahasohet me LeBron James dhe konsiderohet “anti-LeBron” për rrugëtimin e tij ndryshe, Durant ka vazhduar të prodhojë numra elitë. Këtë sezon ai po regjistron mesatarisht 26.1 pikë, 5.1 kërcime dhe 4.4 asistime për ndeshje, shifra tipike të një All Star-i. Në fakt, ai ka mesataren e dytë më të lartë të pikëve për një lojtar mbi 37 vjeç, i kaluar vetëm nga Stephen Curry.
Pavarësisht kritikave që e shoqërojnë sa herë ndërron fanellë dhe mungesës së stabilitetit në ekipe, trashëgimia e Kevin Durant në NBA është e padiskutueshme. Ai ka fituar, ka dominuar dhe, mbi të gjitha, ka lënë gjurmë si një nga shënuesit më të mëdhenj të historisë së lojës.