Real Madridi prezanton Arbeloa: Do të jem vetvetja, po të përpiqesha të isha Mourinho do të dështoja

Álvaro Arbeloa është prezantuar zyrtarisht si trajner i ri i Real Madridit, duke marrë drejtimin e ekipit të parë pas shkarkimit të Xabi Alonsos. Ish-mbrojtësi i “Los Blancos”, i cili ka drejtuar tashmë seancën e parë stërvitore, e përshkroi këtë moment si shumë të veçantë dhe të mbushur me përgjegjësi.

“Është një ditë speciale, si të gjitha ditët që kam kaluar te Real Madridi. Jam plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësinë që kam përpara dhe e nis këtë aventurë me entuziazëm të madh”, u shpreh Arbeloa në konferencën për shtypin.

Ai tregoi edhe mënyrën se si u njoftua për këtë detyrë, duke konfirmuar se ka folur me Xabi Alonson pas ndarjes së këtij të fundit nga klubi. “Kam folur me Xabin, kemi një miqësi të fortë dhe respekt të ndërsjellë. Ajo që diskutojmë mbetet mes nesh”, theksoi trajneri i ri, duke shmangur detajet mbi problemet e skuadrës.

Arbeloa u shfaq i qetë edhe për faktin se roli i tij është i përkohshëm, duke nënvizuar lidhjen e fortë me klubin: “Jam këtu prej 20 vitesh. Kjo është shtëpia ime dhe do të jem këtu derisa Reali të më dojë”.

I pyetur për José Mourinhon, me të cilin ka punuar në të kaluarën, Arbeloa ishte i qartë: “Mourinho ka pasur një ndikim të madh tek unë, por do të jem Arbeloa. Nëse do të përpiqesha të isha Mourinho, do të dështoja në mënyrë të sigurt”.

Trajneri spanjoll shprehu besim të plotë te grupi i lojtarëve dhe u shfaq i paduruar për ndeshjen e tij të parë zyrtare në pankinën e Real Madridit.