113 vjet Polici Shteti nën pushtimin e krimit/ Balliu: Rama e ktheu uniformën blu në mburojë të bandave

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar me një deklaratë për mediat me rastin e 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, duke e cilësuar gjendjen e saj si më të rëndën në historinë e institucionit.

Sipas Balliut, kryeministri Edi Rama ka ndryshuar misionin e Policisë së Shtetit, duke e kthyer nga një strukturë në shërbim të qytetarëve në një mekanizëm që, sipas tij, i shërben krimit të organizuar. Deputeti demokrat deklaroi se policët e ndershëm janë përndjekur, poshtëruar dhe burgosur, vetëm pse kanë zbatuar ligjin dhe kanë denoncuar paligjshmëritë.

Balliu përmendi si shembuj rastin e ish-policit Dritan Zagani, i cili denoncoi trafikun e drogës dhe u burgos, si dhe atë të Emiljano Nuhut, që sipas tij u kërcënua me jetë pasi denoncoi lidhje mes politikës dhe bandave kriminale.

“Synimi ka qenë i qartë: të përzënë çdo polic dinjitoz që ngre zërin kundër padrejtësive dhe shkeljes së ligjit”, u shpreh Balliu.

Ai akuzoi drejtuesit aktualë të Policisë së Shtetit për lidhje me krimin e organizuar, duke deklaruar se ka zyrtarë policie të përfshirë në trafik droge, manipulim provash dhe bashkëpunim me grupe kriminale. Sipas tij, kjo situatë i shërben interesave të qeverisë dhe bandave kriminale që, siç tha ai, ndikojnë në zgjedhje dhe kërcënojnë bizneset dhe qytetarët.

Në deklaratën e tij, Balliu tha se kjo nuk është Policia që duan shqiptarët, por Policia që, sipas tij, i shërben interesave të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Në përfundim, Partia Demokratike u bëri thirrje policëve të ndershëm të refuzojnë urdhrat e paligjshëm dhe t’i bashkohen, sipas saj, përpjekjeve të opozitës dhe qytetarëve për ndryshim. Balliu kërkoi gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për kapjen e Policisë së Shtetit dhe të institucioneve të vendit.

Deklarata e plotë:

113 vjetori i krijimit të Policisë së Shtetit e ka gjetur këtë strukturë në ditët më të zeza të historisë së saj. Edi Rama ia ka ndërruar drejtimin Policisë, nga shërbyese e qytetarëve, në paradhomë të krimit të organizuar.

Faktet kanë treguar se Edi Rama i përccmon, i përndjek, i poshtëron publikisht, dhe madje edhe i burgos policët e ndershëm, ata që janë betuar të zbatojnë ligjin në shërbim të qytetarit.
A nuk ishte rasti i Dritan Zaganit, policit që u burgos personalisht nga Edi Rama sepse denoncoi trafikun e kushërinjve dhe të ministrit Sajmir Tahiri, një shembull i qartë i kësaj?
Po rasti i Emiljano Nuhut, që u kërcënua me jetë se denoncoi bashkëpunimin e Taulant Ballës me bandën kriminale të Rrajave, dhe u linccua publikisht nga Edi Rama?
Synimi ka qenë i qartë. Të përzenë ccdo polic dinjitoz, që ngre zërin kundër padrejtësive dhe shkeljes së ligjit.

Sot në krye të Policisë së Shtetit është Ilirjan Proda i emëruarin i krimit të organizuar, dhe koordinatori i Ramës me narkotrafikun, Ergys Agasi.
Sot ka shefa policie dhe drejtorë që dalin në përgjime si prodhues dhe trafikantë droge, që manipulojnë provat në favor të kriminelëve, që u japin informacion vrasësve me pagesë, që u nxjerrin në pritë kriminelëve policët e ndershëm, duke ccuar informacion te shokët e tyre banditë.
Kjo nuk është Policia që duan shqiptarë. Kjo është Policia që do Edi Rama, Belinda Balluku, Ergys Agasi, banda e Suel Çelës, e Bajrave, Çopjave, dhe të gjitha bandat e tjera që vjedhin zgjedhjet, burgosin qytetarët dhe marrin peng biznesmenët.

Në këtë 113 vjetor të trishtë për uniformat blu, Partia Demokratike, u bën thirrje të gjithë policëve të ndershëm, të refuzojnë urdhrat e paligjshëm të drejtuesve narkotrafikantë dhe të Edi Ramës, dhe t’i bashkohen përpjekjeve kombëtare, të opozitës dhe ccdo qytetari të ndershëm, për të hequr qafe këtë bandë vjedhësish, që po mban peng të ardhmen e shqiptarëve që kanë vendosur të jetojnë në atdhe.

Sot është dita e duhur për të kërkuar dorëheqjen e kryebanditit që është veshur kryepolic, kryeministër, kryeredaktor, dhe që e ka futur Policinë dhe vendin në rrugë pa krye: Edi Ramën.
Jep dorëhejqjen para se të pësosh fatin e merituar të Maduros dhe Ajatollahëve!