Mandati i Sonila Bejtjas, gjyqtarët kushtetues në konflikt flagrant interesi
Truku i shumicës së GJK për të shpëtuar mandatet e veta, nuk arsyetojnë të plotë vendimin, për të mos u prekur vetë.
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur këtë të Martë vendimin e marrë në 16 Tetor 2025, me të cilin ndërpreu me shumicë votash, në mënyrë të parakohshme dhe anti-kushtetuese, mandatet e gjyqtares në detyrë, Sonila Bejtja dhe gjyqtares së dorëhequr, Elsa Toska.
Thelbi i vendimit të shumicës së trupës gjykuese është paragrafi i fundit i pikës 3 të dispozitivit të shumicës, në të cilin thuhet se: “Fillimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese përgjatë këtij regjimi tranzitor përkon me datën e deklaruar nga Gjykata Kushtetuese të mbarimit të mandatit të gjyqtarit që ai zëvendëson”.
Në vendimin e zbardhur, rezulton se shumica e përbërë nga Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Ilir Toska, Sandër Beci dhe Mariana Semini, e kanë arsyetuar këtë paragraf vetëm për dy koleget e tyre, Sonila Bejtja e Elsa Toska.
Sipas shumicës, gjyqtareve Bejtja e Toska u ka ka filluar mandati në momentin e përfundimit të mandatit të dy gjyqtarëve pararendës e konkretisht në vitin 2016, megjithëse dy anëtaret janë emëruar në vitin 2019 dhe 2020 për një mandat të plotë 9-vjeçar, sipas thirrjeve vakancë e plotë, të shpallura përkatësisht nga Kuvendi dhe Presidenti i Republikës.
Por, shumica e Gjykatës, për të shmangur autogolin dhe prodhimin e efekteve të njëjta edhe mbi mandatet e tyre, ka zgjedhur që të mos arsyetojë të njëjtin paragraf edhe për veten e tyre.
Kjo qasje e shumicës, jo vetëm që është situatë flagrante e konfliktit të interesit dhe në kufijtë e abuzimit me detyrë, por gjithashtu është edhe injorim i kërkesë së Presidentit, i cili kishte kërkuar interpretimin e kohëzgjatjes së mandave për të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, qëllimi anti-kushtetues i shumicës kuptohet qartësisht në vendimin e pakicës, së përbërë nga gjyqtarët Holta Zaçaj, Sonila Bejtja dhe Gent Ibrahimi, të cilët janë shprehur se skema e ka humbur ligjshmërinë që në vitin 2022.
Në analizën e pakicës thuhet se, sipas optikës që ka përdorur shumica, atëherë gjyqtarja Marsida Xhaferllari duhet të largohet nga detyra në vitin 2027, një vit para përfundimit të mandatit. Gjyqtarja Fiona Papajorgji duhet të largohet në 2027, një vit para përfundimit të mandatit. Gjyqtari Ilir Toska, i emëruar deri në vitin 2031, duhet të largohet tre vjet më parë, në 2028.
Gjithashtu, nëse aplikohet e njëjta logjikë, që mandati i gjyqtarit të ri nis në momentin e përfundimit të mandatit të gjyqtarit pararendës, edhe anëtarëve Marjana Semini e Gent Ibrahimi u shkurtohet mandate me disa muaj.
Gjyqtarët në pakicë vlerësojnë se shumica ka aplikuar një standard të dyfishtë në trajtim, i cili do të shkaktojë në vijim paqartësi dhe një ngërç kushtetues, si për Gjykatën ashtu edhe për vetë organet e emërtesës, lidhur me momentin të cilin do të duhet të fillojë procedura për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarëve në detyrë./Dosja.al