Syri zbuloi financimin për ‘fermerin’ Troplini / Ministria pranon kontratën dhe përpiqet të justifikohet me argumenta qesharake

Pas publikimit të lajmit nga Syri.net, se Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) kishte miratuar një grant financiar për Xhevdet Troplinin, i njohur ndryshe si “Poja i Durrësit”, ka reaguar Ministria e Bujqësisë, e cila në mënyrë indirekte pranon skandalin, por përpiqet ta relativizojë atë.

Në reagimin e saj zyrtar, ministria pranon se kontrata e grantit është firmosur, mes drejtoreshës së AZHBR-së, Ardita Kuçi, dhe Xhevdet Troplinit, por shton se më pas ajo është revokuar, pas verifikimeve të kryera nga strukturat përkatëse.

LEXO EDHE: EKSKLUZIVE/10 ditë pas arresteve në Itali, Ardita Kuçi e AZHBR-së i dha 22 mln lekë 'fermerit' Xhevdet Troplini të Durrësit

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, investimi është anuluar në muajin shtator 2025, fakt që, në vetvete, rrëzon pretendimin se bëhet fjalë për një “mosdhënie” fondi, por për një kontratë të lidhur dhe të pranuar fillimisht nga shteti shqiptar.

Në shkresën zyrtare me datë 30 shtator 2025, që ministria i ka vënë në dispozicion Syri.net, thuhet se personit fizik Xhevdet Troplini i është refuzuar kërkesa për pagesë e grantit financiar, e regjistruar me nr. 200/7 prot., datë 14 maj 2025, për kontratën e lidhur me AZHBR nr. 200/5 prot., datë 11 shkurt 2025.

Në dokument theksohet se:

“…kërkesa për pagesë e juaja me nr. 200/7 prot., datë 14 maj 2025, për kontratën e lidhur me AZHBR nr. 200/5 prot., datë 11 shkurt 2025, është refuzuar…”

Arsyeja e refuzimit që sjell ministria është, sipas dokumenteve, formale dhe qesharake. Sipas Udhëzimit Nr. 22, datë 19 shtator 2024, për administrimin e fondit të Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, investimi nuk duhet të ketë nisur përpara lidhjes së kontratës së grantit.

Ministria pretendon se nga shqyrtimi i kërkesës për pagesë, Troplini ka dorëzuar dy fatura, njëra prej të cilave është parapagese. Konkretisht, bëhet fjalë për faturën nr. 54/2025, me datë 10 shkurt 2025, e likuiduar po atë ditë, ndërkohë që kontrata e grantit është firmosur më 11 shkurt 2025.

Sipas ministrisë, kjo parapagesë një ditë përpara firmosjes së kontratës përbën shkelje dhe justifikon anulimin e grantit.

Por ajo që ministria shmang të shpjegojë, është fakti thelbësor:
pse një person i njohur publikisht dhe i përmendur në dosje kriminale u shpall fillimisht përfitues i fondeve publike, dhe pse verifikimet nuk u kryen përpara firmosjes së kontratës.

Në thelb, reagimi i Ministrisë së Bujqësisë nuk mohon skandalin, por konfirmon se financimi është miratuar, dhe më pas është anuluar për arsye proceduriale, duke tentuar të mbulojë përgjegjësinë institucionale me një detaj teknik, ndërkohë që çështja ngre dyshime të forta për filtrat e sigurisë, transparencën dhe përdorimin e fondeve publike. Kujtojmë se pikërisht për këtë formë shpërndarje fondesh nga AZHBR-ja, Shqipërisë i janë anuluar fondet nga BE-ja pas abuzimeve që ky insitucion ka kryer në shpërndarjen e tyre duke ua dhënë fondet e fermerëve bandave kriminale apo bizneseve klientë të klaneve qeveritare të rilindjes.

Në vend që të sqarojë pse shteti shqiptar firmos kontrata me persona të tillë, ministria zgjedh të fshihet pas një fature të datuar një ditë më herët.