Mes ujit dhe harresës/ Fermerët e Shkodrës: Po na mbytet buka e gojës, askush nuk na sheh
Kriza e përmbytjeve vazhdon të përkeqësohet në territorin e Bashkisë së Shkodrës, me zonën e Trushit dhe Shirsi-t që po përballen me dëme të mëdha bujqësore dhe një situatë alarmante për banorët. Banorët e këtyre zonave kërkojnë reagim të menjëhershëm nga bashkia dhe qeveria, ndërkohë që ata kanë shprehur shqetësimin e tyre se nuk kanë marrë asnjë lloj mbështetjeje deri më tani.
Një nga banorët e zonës, i cili ka humbur të gjithë prodhimet e tij bujqësore, shprehet:
'Dëmet janë shkaktuar nga ujërat. Siç kemi thënë, dokumentet e jonxhës dhe loliumeve që i kishim këtu, tani janë të mbuluara me ujë. Sot, aktualisht, janë rreth 500 dylym tokë të mbytura. Dhe ato toka hapin ujë në sipërfaqe. Askush nuk ka ardhur për të na thënë se çfarë po bëhet me këto toka. Të paktën, na thanë për zonat e malit, si Dajçi, Shirsi, Oboti, por këtu nuk dimë gjë. Nuk ka ardhur askush për këtë punë. Nuk dimë çfarë të bëjmë, pasi kam bagëtitë pa ushqim,' - tha ai.
Dëmet bujqësore janë vetëm një pjesë e problemit. Banorët e zonës po përballen gjithashtu me përmbytje të rënda në shtëpitë e tyre, dhe lëvizja është bllokuar nga uji që ka mbushur rrugët dhe shtëpit. Ata kërkojnë ndihmën urgjente të bashkisë dhe qeverisë për të parandaluar pasojat e tjera të mëdha. Siç thekson një tjetër banor:
'Po mbyt në shtëpitë tona. Sa i përket bagëtive, nuk di se ku janë, ato kanë ikur, kanë marrë brigjet. Asnjë send nuk mbetet në këmbë. Kjo situatë, që ndodh, vjen gjithmonë nga shkarkimet e hidrocentraleve. Ne nuk mbytemi nga reshjet e shiut, por nga shkarkimet e hidrocentraleve. Kur hapin hidrocentralet, zona jonë përmbytet krejt. Kjo është një zonë në vijë të kuqe. Nuk e di çfarë mund të bëj. Kanali i Shirsit është pastruar, por kjo zonë nuk mund ta përballojë një kanal të vetëm të këtij madhësie. Duhet ndërhyrje më e madhe,' – tha banori, duke kërkuar një zgjidhje të menjëhershme për problemin.
Një tjetër problem që banorët e Trushit dhe Shirsi-t kanë ngritur është shkarkimi i ujërave nga hidrocentralet, që shpeshherë shkaktojnë përmbytje të papritura dhe të rënda. Banorët thonë se kjo është shkaku kryesor i përmbytjeve, dhe jo reshjet e shiut siç po argumentohet nga disa autoritete. Sipas tyre, vetëm një ndërhyrje e menjëhershme dhe e strukturuar mund të shpëtojë zonën nga katastrofa.
'Kjo situatë uji këtu vjen sa herë si hapin hidrocentralet, ne mbytemi. Ne nuk mbytemi, nuk mbytemi prej ujit të shiut. Si thonë, ja koka e kalit, ja thasët. Jo mor zotëri, ne mbytemi prej hidrocentralit,' – theksoi një tjetër banor i zonës. Ata kërkojnë që autoritetet të merren me këtë çështje dhe të ndërhyjnë për të ndaluar shkarkimet e ujërave dhe për të garantuar mbrojtjen e jetës dhe pasurive të tyre.
Një mundësi për zgjidhjen e përmbytjeve sipas banorëve mund të jetë lidhja e kanalit të Shirsit me atë të Trushit, për të mundësuar rrjedhjen e ujërave dhe shmangien e përmbytjeve. Sipas një inxhinieri të njohur, kjo mund të zgjidhë përfundimisht problemin e përmbytjeve.
'Duhet që kanali i Shirsit të lidhet direkt me kanalin e Trushit. Si inxhinier, e di mirë rrjedhën e ujit dhe mendoj se kjo është mënyra e vetme për të shpëtuar këtë zonë. Nëse ky kanal lidhet me një kanal më të madh, nuk do të ketë më përmbytje' – tha ai.
Në ndërkohë, banorët kërkojnë një reagim të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë nga bashkia dhe qeveria. Ata shprehin zhgënjimin e tyre për mungesën e mbështetjes dhe për faktin që autoritetet lokale dhe qendrore nuk janë duke ndërmarrë masat e duhura për të përballuar këtë situatë emergjente.
Mbi të gjitha, kjo krizë po dëmton ndjeshëm ekonominë e banorëve, që shumicën e jetës e kalojnë me blegtori dhe bujqësi. Ata thonë se kanë humbur gjithçka dhe se nuk kanë asnjë mundësi për të shpëtuar pasuritë e tyre. 'Ne jetojmë këtu me blegtori dhe niveli i ujit është po aq i lartë si në Obot, për shembull. Po të hapet një kanal, niveli i ujit do të bjerë, por te ne nuk bie, sepse këtu është shumë i lartë. Edhe pas një dite, uji mund të arrijë deri në dy metra e gjysmë dhe të dalë në asfalt'– shtuan ata.
Në këtë situatë, kërkesa e banorëve është e qartë dhe urgjente: ndihmë për të shpëtuar jetesën e tyre, përmirësim të kushteve të kanaleve dhe një përgjigje të menjëhershme nga autoritetet.
Në një moment të tillë krizë, është e papranueshme që një zonë si Trushi, e cila jeton kryesisht nga bujqësia dhe blegtoria, të lihet pas dore. Banorët kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe që situata të marrë një trajtim serioz dhe urgjent nga Bashkia e Shkodrës dhe qeveria të cilët deri më tani nuk kanë shkuar për të parë as situatën në të cilën ndodhen banorët prej ditësh.