Cili është avioni pakistanez për të cilin forcat ajrore të disa vendeve po rreshtohen për ta blerë?
Kur Arabia Saudite dhe Pakistani nënshkruan një pakt të ndërsjellë mbrojtjeje në shtator të vitit të kaluar, ishte e qartë se çfarë kërkonte Rijadi nga Islamabadi. Një interes i ngjashëm është treguar edhe nga Bangladeshi, Iraku, Indonezia dhe ushtria kombëtare libiane. Marrëveshje janë nënshkruar ose pritet të nënshkruhen së shpejti për avionin luftarak JF-17 Thunder, të prodhuar në Pakistan.
Me kosto të ulët dhe performancë të lartë, këta avionë u testuan në luftime kundër Indisë gjatë konfliktit mes dy fuqive bërthamore në maj. JF-17 doli shumë mirë përballë avionëve francezë Rafale të Indisë dhe tani edhe vende të tjera po rreshtohen për t’i blerë.
Avioni luftarak i lehtë dhe shumëfunksional prodhohet në Kompleksin Aeronautik të Pakistanit (PAC), rreth 80 kilometra nga kryeqyteti Islamabadi. Varianti Block II është një avion i gjeneratës 4.5, i pajisur me radar të avancuar dhe raketa me rreze përtej shikimit, të afta për misione ajër-ajër dhe ajër-tokë. Ai përdor raketa ajër-ajër kineze PL-10E.
Avioni ka avionikë të avancuar, radar AESA dhe sisteme lufte elektronike, duke qenë një përmirësim krahasuar me F-16 amerikan dhe Su-27 rus, të ndërtuar kryesisht për shpejtësi dhe duele ajrore. Forca Ajrore e Pakistanit thotë se JF-17 ka manovrim shumë të mirë në lartësi të mesme dhe të ulëta dhe kombinon fuqi zjarri, zhdërvjellësi dhe mbijetesë, duke e bërë “një platformë shumë të fuqishme për çdo forcë ajrore”.
Radari AESA i mundëson të ndjekë disa objektiva njëkohësisht dhe të shohë më larg. Avioni nuk ka teknologji “stealth”, ndaj bën pjesë në të njëjtën kategori me Gripen-in suedez, Rafale-in francez, Eurofighter Typhoon dhe J-10 kinez, por është shumë më i lirë.
Çmimi i vlerësuar i JF-17 është 25–30 milionë dollarë për njësi. Rafale kushton mbi 90 milionë dollarë, Gripen mbi 100 milionë, Typhoon rreth 117 milionë, ndërsa J-10 rreth 50 milionë dollarë. F-35 amerikan kushton rreth 109 milionë dollarë.
Një tjetër avantazh i JF-17 është se është provuar tashmë në luftime: kundër Indisë në vitet 2019 dhe 2025. Në shkurt 2019, Pakistani rrëzoi një avion luftarak indian dhe kapi pilotin, i cili u lirua dy ditë më vonë pas ndërhyrjes së SHBA-së dhe Kinës. Konflikti i shkurtër shkaktoi edhe vdekjen e pesë oficerëve të forcave ajrore indiane dhe një civili në Kashmirin e administruar nga India.
Në konfliktin katërditor të majit të vitit të kaluar, Pakistani pretendoi se rrëzoi gjashtë avionë indianë, përfshirë tre Rafale. India ka pranuar humbje, por nuk ka dhënë shifra të sakta. Forca Ajrore e Pakistanit thotë se JF-17 mori pjesë në përballjet ajrore dhe u përdor për të goditur sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400 të Indisë me një raketë hipersonike. India e ka mohuar dëmtimin e sistemit.
Luftimet u ndalën papritur me 10 maj, pasi Donald Trump njoftoi një “armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm”. Më pas, Pakistani e nominoi Trump-in për Çmimin Nobel për Paqen, duke thënë se ai shmangu një përplasje bërthamore. Trump deklaroi disa herë se u rrëzuan gjashtë deri në tetë avionë, duke vlerësuar performancën e forcave ajrore pakistaneze.
Aftësitë dhe çmimi konkurrues i JF-17 ishin vënë re edhe më herët nga ushtri më të vogla. Në vitin 2015, Mianmari u bë vendi i parë që bleu JF-17. Deri tani janë dorëzuar 7 nga 15 avionë, ndërsa vonesat lidhen me sanksionet ndaj juntës ushtarake të vendit. Në vitin 2021, Nigeria bleu tre JF-17. Në shkurt 2024, Azerbajxhani nënshkroi një marrëveshje për blerjen e 16 avionëve për 1.5 miliardë dollarë dhe në nëntor shfaqi pesë prej tyre në paradën e Ditës së Fitores.
Analistët thonë se konflikti i majit e rriti shumë interesin për JF-17, sidomos pas rrëzimit të Rafale-ve francezë.
Marrëveshje me gjashtë vende
Me 6 janar, shefi i forcave ajrore të Pakistanit dhe homologu i tij nga Bangladeshi u takuan në Islamabad dhe diskutuan blerjen e mundshme të avionëve JF-17. Media ushtarake pakistaneze thotë se një marrëveshje me Bangladeshin është shumë pranë.
Reuters raportoi se ministri i mbrojtjes i Indonezisë u takua me shefin e forcave ajrore pakistaneze për një marrëveshje të mundshme që përfshin mbi 40 avionë JF-17. Edhe Iraku ka shprehur interes të madh. Këto zhvillime vijnë pas një marrëveshjeje prej 4 miliardë dollarësh me ushtrinë kombëtare libiane për më shumë se një duzinë avionësh.
Pakistani dhe Arabia Saudite po diskutojnë shndërrimin e rreth 2 miliardë dollarëve kredi saudite në një marrëveshje për JF-17. Një analist ushtarak tha se Pakistani është në bisedime ose ka finalizuar marrëveshje me gjashtë vende, përfshirë Arabinë Saudite.
Pakistani ndodhet aktualisht në një program 7 miliardë dollarësh me FMN-në. Ministri i mbrojtjes së vendit tha se suksesi i industrisë së armëve mund të ndryshojë ekonominë e Pakistanit, duke shtuar se ka kaq shumë porosi sa vendi mund të mos ketë më nevojë për FMN-në brenda gjashtë muajve. / The Telegraph – Syri.net