Çahet argjinatura e lumit Seman në Asturkas: Dhjetëra banesa nën ujë, qindra bagëti të bllokuara

Situata në fshatin Asturkas paraqitet tepër alarmante pas çarjes së argjinaturës së lumit, e cila ka sjellë përmbytje të menjëhershme në zonë. Si pasojë, mbi dhjetë banesa janë përmbytur, ndërsa stane bagëtish kanë mbetur nën ujë, duke rrezikuar seriozisht jetën e njerëzve dhe kafshëve.

Sipas dëshmive të banorëve, nuk bëhet më fjalë vetëm për toka bujqësore të përmbytura, të cilat janë me të mbjella, por për një situatë dramatike ku qindra bagëti, kryesisht lopë, kanë mbetur të rrethuara nga uji.

Edhe pse disa prej tyre janë nxjerrë jashtë zonës së përmbytur, çobanët dhe familjarët që po i ruajnë janë aktualisht të izoluar, pa mundësi lëvizjeje.

LEXO EDHE: Reshjet e shiut shkaktojnë përmbytje në Libofshë të Fierit, uji hyn në banesa. Banorët thirrje për ndihmë

Banorët pa gjum gjithë natën shprehen se prioriteti i tyre nuk janë më bagëtitë, por jeta e njerëzve.Ata kërkojnë me urgjencë ndërhyrjen e autoriteteve për evakuimin e menjëhershëm të çobanëve dhe banorëve të bllokuar, mes tyre edhe familjarë të afërt, të cilët ndodhen ende në zonën e rrezikut.

“Duam të nxirren njerëzit sa më parë, çobanët që ruajnë lopët dhe delet, familjarët tanë që janë atje. Jeta e tyre është në rrezik”, shprehen banorët, duke kërkuar ndihmë emergjente nga strukturat shtetërore.

Situata vijon të jetë kritike, ndërsa uji nuk ka shenja tërheqjeje, duke shtuar frikën për përkeqësim të mëtejshëm të gjendjes.