‘Durana’, Vasili: U shpik për të vjedhur taksat e shqiptarëve, Rama dhe qeveria e tij janë thjesht plaçkitës

Një skemë e re korrupsioni dhe evazioni fiskal, e maskuar si një projekt madhor teknologjik i quajtur "Durana", është denoncuar si një vjedhje e mirëfilltë e qindra milionë eurove. Sipas ish deputetit të Partisë së Lirisë, Petrit Vasili që ishte i ftuar në emisionin  e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv,  “ky projekt, i cili duhet të ishte një zonë e lirë ekonomike mes Durrësit dhe Tiranës, në realitet është vetëm një fushë me bar, ndërsa paratë e shqiptarëve përfundojnë në xhepat e një grupi të kufizuar biznesesh të lidhura me qeverinë”.

E cilësuar si një "vjedhje e trashë" dhe jo e sofistikuar, skema "Durana" parashikonte lehtësi të jashtëzakonshme fiskale për kompanitë e përfshira, kryesisht në fushën e teknologjisë së informacionit. Këtyre bizneseve u premtohej përjashtim total nga tatimfitimi për 15 vjet, zero taksa lokale, zero tatim mbi të ardhurat për punonjësit dhe një regjim i lehtësuar doganor. Në praktikë, ishte një amnisti e plotë fiskale për një grup të përzgjedhur.

Në kontrast të thellë me premtimet për një "Luginë Silikoni" shqiptare, realiteti në terren është krejt tjetër. Zona e premtuar në Xhafzotaj është thjesht një lëndinë boshe, një fakt i dokumentuar edhe nga deputeti Tedi Blushi. Gajte bisedës me Flavio Qarri Vasili tha se, “situata të kujton aferën e inceneratorit të Tiranës, një tjetër projekt fantazmë për të cilin qytetarët paguajnë, por që fizikisht nuk ekziston”.

Sipas ish deputeteit të PL, motivi pas kësaj skeme është i qartë. Bizneset e favorizuara, të cilat më parë përfitonin një taksë fitimi të ulur në 5%, do të duhej të ktheheshin në normën 15% në vitin 2026. Për të shmangur këtë, u shpik "Durana", një mënyrë për t'i zeruar plotësisht detyrimet e tyre tatimore. Madje, planet shtriheshin edhe më tej, me një projekt të ngjashëm të parashikuar për Vlorën.

Mekanizmi i mashtrimit është po aq i thjeshtë sa edhe i pacipë. Kompanitë nuk e kanë transferuar aktivitetin e tyre në zonën e re, por thjesht kanë ndryshuar në letra adresën e tyre zyrtare, duke u regjistruar në një fushë boshe për të përfituar ilegalisht nga privilegjet fiskale. Kjo përbën një evazion masiv fiskal, të mundësuar dhe legalizuar nga vetë qeveria.

Kjo aferë konsiderohet veçanërisht e rëndë pasi të njëjtat kompani menaxhojnë të dhëna sensitive të shtetit dhe qytetarëve, përfshirë ato të thesarit, kufirit dhe sistemit e-Albania. Në sfondin e këtij skandali, kritika të ashpra i drejtohen drejtësisë, veçanërisht SPAK-ut, për mosveprimin përballë asaj që cilësohet si një provë e gjallë e një grabitjeje flagrante të parave publike.

FLavio Qarri: Jemi para një dileme të madhe, zoti Vasili, është një lloj vjedhje e re kjo. Një shpikje e re për të cilën na duhet ndoshta një emër i ri, prandaj e gjetën edhe diçka midis Durrësit dhe Tiranës këta dhe krijuan, pagëzuan Duranën, por paska qenë një vaftisje me zjarr kjo. Çfarë është realisht Durana dhe mbi të gjitha Vasili kam një kuriozitet. Për aq kohë sa ju keni, aktivitet politik. Mos është kjo një nga ato gjërat vërtet të vështira për t'ia sqaruar publikut? Dhe imagjino sa të vështira do jenë për t'ia sqaruar prokurorëve të SPAK-ut, të hetojnë?

Petrit Vasili:  E vetmja meritë në rast se mund t'i njohim këtyre, është që këta janë kaq të trashë për shkak të babëzisë së madhe që kanë, sa ne s'kemi asnjë gram meritë kur e shpjegojmë, se janë kaq të thjeshta. Pa diskutim nuk ka nevojë fare për prokurori speciale. Këta janë thjesht dhe vetëm plaçkitësa.

Durana, në Xhafzotaj, është krijimi i një zone të lirë. Pra, është një sipërfaqe gjeografike e caktuar, e cila duhet të jetë shumë mirë e përcaktuar në radhë të parë. Është një sipërfaqe e cila duhet të ketë kufijtë e saj, portat e hyrjes dhe të daljes, dhe sigurisht pikën doganore përkatëse.

Pse duhen këto? Që ta kuptojë qytetari i thjeshtë, sepse në këtë zonë ata që do të punojnë atje brenda kanë ca privilegje. Dhe të cilat kanë qenë privilegjet? Kanë qenë të frikshme. Kanë qenë privilegje, që këta nuk do të paguanin 15 vjet tatim fitimi. Po këta nuk do të paguanin as taksa lokale. Këta do paguanin zero tatim mbi të ardhurat për punonjësit e tyre. Do kishin regjim doganor të lehtësuar, pra nuk paguanin taksa doganore.

Kishin pra një seri, madje një rimbursim nga shteti për ca aktivitete shkencore që këta mund të bëjnë për në këtë fushë. Pra praktikisht të gjitha lekët, fitimet dhe gjithçka që kanë të bëjnë me tekst, me taksat që, me të cilat shteti vjedh, vjel domethënë, që duhet t'i marrë, këto ishin zero.

Tani, do pyesin qytetarët, çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur që atje në Xhafzotaj, ku flitet pra që ekziston ky qyteti, ekziston një fushë me bar. Kolegu im, edhe ish-kolegu juaj se ka qenë edhe gazetar në profesion Tedi Blushi, ka qenë atje dhe e keni parë me kamera. Duhet të shkonte SPAK-u me vrap që sapo u dëgjuan këto muhabete. Por vajti dhe ju e patë, ishte vërtetë një lëndinë e bukur, po nuk ka asgjë. E ngjashme me inceneratorin e Tiranës, të cilin paguajmë përditë, ti, unë, të gjithë neve, dhe inceneratori nuk ekziston.

Tani pyetja është, pse e kanë bërë këtë gjë këta? Me të drejtë Arben Ahmetaj thotë, ishte kopshti i shtëpisë, lekët duhet të merreshin të gjitha, pra të mos mbetej asnjë kokërr leku pa marrë. Dhe për këtë qëllim, unë do jua kujtoj qytetarëve, në vitin 2019, këta bënë një ligj ku të gjitha këto biznese të informatikës, me demek këto të oborrit të shtëpisë siç e kemi thënë, të Baçes,  tatimi i fitimit i tyre u zbrit nga 15 në 5%. Ndryshe nga gjithë bizneset e tjera. Dhe për këtë gjë pati një reagim shumë të fortë nga, nga Europa. Madje, arriti deri në atë pikë sa Bashkimi Europian e kërcënuan qeverinë shqiptare që do ta fusin në listën e zezë të vendeve që nuk bashkëpunojnë për regjimin fiskal, pra për të pasur një regjim fiskal korrekt dhe që funksionon dhe që nuk krijon favore për këdo. Këta u shtynë nja pesë vjet, gjashtë vjet me një fjalë, morën lekë me këto, po ngaqë nuk e shtynin dot më ndryshe, u detyruan që këtë ligjin për këto biznese të informatikës, ta shfuqizonin dhe tani në 2026, pra në këtë vitin që jemi, këta do fillonin me taksë 15% si dikur. Po që të mos ndodhte kjo, BE-së i thanë, taksën ne po e heqim, po ndërkohë shpikën Duranën.

Jo vetëm kaq, po Edi Rama kishte planifikuar dhe një Duranë tjetër në Vlorë.

Ka një histori kur ka çertifikuar 26 ato bizneset e para që punonin te Durana në prill, se kjo Durana që është lëndinë, është atje në mes të barit, që s'ekziston, ky me demek licencoi nja 26 biznese, dhe veç të tjerave, e keni me zë e me figurë. Pastaj po këtë gjënë do ta bëjnë edhe në Vlorë,  po do ta bëjmë në zemër të Vlorës. 

Flavio Qarri: Po pra, megjithatë ka një gjë të çuditshme Vasili, e ka bërë Maqedonia, ka qenë një projekt i vjetër në Shqipëri ky. E ka bërë Maqedonia zonën e lirë ekonomike, po impakti i saj në ekonomi është i drejtpërdrejtë.

Petrit Vasili:  Këtu bëhet fjalë për qindra milionë euro, dhe njëkohësisht nëpërmjet tyre kontrollon të gjithë të dhënat sensitive e tjerë të shqiptarëve, e kjo nuk ka të bëjë me modelin shumë të suksesshëm që ishte në Maqedoni. Maqedonia ishte vërtet një vend shembull, por ju duhet të dini që Gruevski, që ai e bëri, shkoi nëpër botë, ka ndenjur me muaj të tërë, bile ikte me javë të tëra, vetëm e vetëm për ta perfeksionuar dhe Maqedonia ndodhi ajo punë që Maqedonia shet produkte të përpunuara, gjysëm të përpunuara, të gjitha llojet në Shqipëri, e ne nuk shesim dot gjë atje. Pra i jep zhvillim kur ato bëhen me kritere, bëhen me qëllime të qarta për të stimuluar degë jetike të ekonomisë. Kurse në këtë rast çfarë ndodhi?

Për Ahmetajn e dëgjuat çfarë tha? Unë tha, do t'i këpusja kokën tha atij, tha. Po ta kisha pasur në dorë unë, ky që e ka SPAK-u se unë do t'i kisha bërë gjëmën tha. Po çfarë ndodh? Me atë Karaçanajin që është atje, që ishte deri. Si tha? Ajo ka bërë mrekullira, po është me zonja nga të gjitha.

Mori për Ballukun, çoi qeverinë në Gjykatë Kushtetuese. Pra, ndërkohë që për këtë Ahmetajn tha do t'i këpusja kokën, shyqyr që s'e kam unë në dorë se do ta kisha ngrënë të gjallë, kurse këto të tjerat i mbron. Pse e mbrojti? Dëgjuam dhe i lexuam me sytë tanë bisedat e këtyre, ku pamë që atje paratë ndaheshin tamam si hajdutët që ndajnë lekët, i vënë qesen e parave dhe i ndajnë.

Katër javë, pesë javë, e-Albania vajti nuk funksiononte.

Pra qindra milionë euro të cilat nuk funksionojnë, janë në dorë të një lloj delinkuenti, i cili është në gjendje t'i bllokojë dhe më e rëndë nga të gjitha. Këta çfarë kanë në dorë? Kanë në dorë të dhënat e thesarit të shtetit. Kanë të dhënat e hyrje-daljes në kufi. Kanë të dhënat personale të personave, kanë të dhënat e pagesës së biznesit, biznesmenëve apo dhe punonjësve të thjeshtë, kanë deri te targat e makinave, numrat e telefonit andej e për këtej. Më thoni pra, çfarë do të ketë më shumë se kaq krimi apo narkotrafiku nëpër duar.

Në rastin e Duranës skandali është shumë i thjeshtë.

Këtu dalin, male me dokumente, ndërsa është atje bosh fare thashë. Një lëndinë e bukur, po ku është kjo Durana? Pra do të thotë që ka një gjë që është shfrenimi, shfrenimi i vjedhjes është në kufijtë e një skizofrenie të vërtetë, fare të qartë dhe nuk bëhet fjalë për pak para, po bëhet fjalë për qindra milionë....

Një drejtësi që nuk vepron në mënyrë të rrufeshme për këtë gjë, do të thotë është e e deri në fyt.