E kundërshtoi FMN, BE e Dhoma Amerikane/ Ushtari i Ramës firmos 'paqen fiskale' dhe fshirjen e detyrimeve!
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe ushtari i Ramës, presidenti Bajram Begaj dekretoi 7 ligjet e Paketës Fiskale dhe atë të ‘Marrëveshjes së paqes fiskale’ edhe pse për këtë të fundit ishin shumë institucione ndërkombëtare të cilët e kundërshtuan pasi rrezikon të minojë administrimin tatimor.
Dekretimi nga presidenti Begaj i ligjeve u bë më 12 janar 2026.
Presidenti i Republikës dekretoi ligjet e paketës fiskale, duke përfshirë ligjet “Për marrëveshjen e Paqes Fiskale”, “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë” ndryshimet në TVSH-në për rimbursimin e TVSH-së 10% të fermerëve etj.
“Marrëveshja ‘Paqja Fiskale’, e cila ofron falje borxhesh dhe rivlerësim preferencial të pasqyrave financiare, rrezikon të minojë progresin e mëparshëm në administrimin dhe përputhshmërinë tatimore”, thuhej në deklaratën e bordit të FMN-së, të përcjellë në fund të dhjetorit 2025.
Jo vetëm Fondi Monetar Ndërkombëtar, (FMN), por kundërshtimin hapur e shprehën edhe Bashkimi Europian dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) pasi nisma nxit pastrimin e parave dhe të kapitalit të dyshimtë.
“Kjo iniciativë i hap rrugë legjitimimit të pastrimit të parave e cila është evidentuar në deklaratë si Mundësi reale për legalizimin e kapitalit me origjinë të dyshimtë dhe pastrim parash’ deklaronte Dhoma Amerikane në dhjetor 2025.
Edhe Partia Demokratike dhe opozita e kanë kundërshtuar këtë paqe fiskale.
"2 miliardë euro shndërrohen në vota dhe vota shndërrohet në 2 miliardë euro droge' deklaroi Berisha në një konferencë për median.
Brenda këtij viti administrata tatimore dhe ajo doganore duhet të fshijnë nga bilancet e tyre, çdo borxh që kanë bizneset, të cilat janë krijuar përpara 31 dhjetorit të vitit 2014. Nga kjo nismë e qeverisë që u miratua më 12 dhjetor 2025 preken gati 2.1 miliardë euro detyrime të papaguara në dekada, dhe përfitojnë më shumë se 200 mijë biznese debitorë.
Kur nis zbatimi?
Nga 7 ligjet e paketës fiskale në Fletoren Zyrtare është botuar vetëm ligji për “Rivlerësimin e Pasurive të Paluajtshme”.
Ligjet hyjnë në fuqi pas dekretimit të tyre nga Presidenti dhe botimit në Fletoren zyrtare, ndërsa udhëzimi për zbatimin e ligjit për fshirjen e detyrimeve të papaguara në tatime dhe dogana duhet të miratohet brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, ndërsa udhëzimi për Marrëveshjen e Paqes Fiskale duhet të miratohet brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi.
Konkretisht në ligjin “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”, përcaktohet se hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet deri në vitin tatimor 2028. Shtrirja e efekteve zgjat deri në 2028, pasi marrëveshja do të zbatohet për një vit tatimor, por me të drejtë rinovimi për dy vite tatimore të tjera.
Gjithashtu në ligj përcaktohet se procedurat për hartimin dhe përmbajtjen e propozimit të marrëveshjes, mënyrat e komunikimit me tatimpaguesin dhe konfirmimin elektronik, regjistrimin dhe ruajtjen e marrëveshjes në regjistrin elektronik tatimor, si dhe trajtimin e rasteve të refuzimit, mospranimit apo pavlefshmërisë së saj, do të përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.
Edhe procedurat për Përfundimi i vlefshmërisë së Marrëveshjes së Paqes Fiskale do të zbatohen sipas procedurave që do të përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.
Sipas ligjit Marrëveshja e Paqes Fiskale përfundon në rastet kur: tatimpaguesi ndryshon llojin e veprimtarisë së deklaruar; nuk realizon rritjen mbi 18% të fitimit të tatueshëm; pezullon ose ndërpret përfundimisht aktivitetin ekonomik; kryen shkelje të përsëritura të detyrimeve tatimore që cenojnë ndershmërinë fiskale; nuk paguan detyrimet sipas marrëveshjes; nuk përmbush kushtet e parashikuara në nenin 6 të ligjit; realizon rritje të fitimit të tatueshëm mbi 50% gjatë vitit tatimor përkatës, krahasuar me vitin paraardhës.
Procedura e aplikimit për Marrëveshjen e Paqes Fiskale
Ligji përcakton se marrëveshja e paqes Fiskale mes biznesit dhe administratës tatimore do të kryhet nëpërmjet aplikimit që bëhet nga tatimpaguesi përmes platformës elektronike “e-filing”, brenda afatit për dorëzimin e deklaratës vjetore të të ardhurave të vitit paraardhës. Për vitin e parë të zbatimit, afati përcaktohet me udhëzim të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.
Propozimi i marrëveshjes hartohet nga administrata tatimore dhe i komunikohet tatimpaguesit nëpërmjet platformës “e-filing”, duke përmbajtur vlerën e fitimit të tatueshëm dhe normat e detyrimit tatimor për periudhën përkatëse.
Tatimpaguesi ka të drejtë ta pranojë ose refuzojë propozimin deri më 15 prill. Me pranimin dhe nënshkrimin elektronik, marrëveshja konsiderohet e lidhur dhe ka efekt ligjor për vitin tatimor përkatës. Tatimpaguesi ka detyrimin të deklarojë dhe të paguajë detyrimin tatimor sipas marrëveshjes, ndërsa mosrespektimi i saj trajtohet si shkelje tatimore.
Ligji për fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganore
Ligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe të detyrimeve të pagueshme në doganë” hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi, ministri përgjegjës për financat nxjerr udhëzimin për zbatimin e ligjit. Ky ligj i shtrin efektet nga 1 janar 2026 deri më 31 dhjetor 2026.
Ligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Zbatimi i këtij ligji do të sjellë kompensimin 10% të TVSH -së për fermerët për shitjet e mallrave bujqësore që ata do të bëjnë në grumbulluesit, përpunuesit apo agrobizneset e certifikuara. Kompnesimi do të bëhet nëpërmjet autofaturave të lëshuara nga blerësit e mallrave bujqësore.