Shehu: Intervista e Ahmetajt u quajt 'luftë politike' për t’i ikur detyrimit gazetaresk, mediat duhet të investigonin

Intervista e fundit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, ku janë bërë publike akuza të rënda dhe dokumente të shumta, duket se është përballur me një heshtje gati të plotë nga shumica e medias shqiptare, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi rolin dhe funksionimin e saj.

E ftuar në emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri TV, gazetarja Jonida Shehu tregon se realiteti mediatik në Shqipëri është thellësisht i polarizuar. Ekosistemi është i ndarë qartë në media opozitare dhe media pro-pushtetit, ku secili krah vepron brenda një narrative të paracaktuar. Mediat opozitare shihen nga pala tjetër si instrumente që bëjnë "politikë" dhe jo gazetari, ndërsa mediat pro-qeveritare akuzohen për të njëjtën gjë nga kampi kundërshtar.

Sipas Shehut, ky justifikim reciprok bën që çështje me interes të lartë publik, siç janë denoncimet e Ahmetajt, të mos trajtohen me objektivitetin dhe thellësinë e duhur. Në këtë rast konkret, intervista është etiketuar nga shumë media si një "luftë politike" e medias që e transmetoi, duke e shkarkuar kështu veten nga detyrimi profesional për ta trajtuar atë.

Shehu shprehet se problemi themelor që anashkalohet është se thelbi i denoncimeve përbën interes publik, pavarësisht burimit apo platformës ku ato u shprehën fillimisht. Kjo ka bërë që shumica e mediave të zgjedhin rrugën e sigurt, duke u marrë me tema "më institucionale" dhe duke ia lënë barrën e investigimit medias që kreu intervistën.

Pëe Shehun detyra e medias në një situatë të tillë do të ishte nisja e një procesi të pavarur investigativ. Në vend që të mblidheshin panele për të bërë "politikë" mbi faktet e paraqitura, gazetarët duhet të kishin marrë kohën e nevojshme për të verifikuar ose rrëzuar pretendimet e Ahmetajt, duke analizuar dokumentet dhe duke hulumtuar çdo pikëpyetje të ngritur.

Një qasje e tillë sipas saj, do t'i shërbente drejtpërdrejt informimit të publikut. Megjithatë, klima aktuale mediatike duket se dekurajon një gazetari të tillë proaktive. Frika për të qenë "i pari me shpatë" dhe pritja që çështjet "të zyrtarizohen" nga organet e drejtësisë, para se të trajtohen, çon në një pasivitet që dëmton misionin e medias. Pavarësisht nëse akuzat e Ahmetajt do të konsideroheshin një denoncim politik apo një dëshmi me fakte, interesi publik kërkonte që ato të zbërtheheshin dhe të analizoheshin. Heshtja ose injorimi i tyre tregon një dështim të medias për të përmbushur rolin e saj si pushtet i katërt dhe si zë i qytetarëve.

Shehu:

Më çudit që ke pasur pritshmëri, jam me atë që ka Mandi, që do kishte një ë reflektim mbas intervistës së katërt të zotit Ahmetaj, nuk ka ndodhur në tre të parat dhe, le të themi, për të qenë të vërtetë, realiteti mediatik në Shqipëri është, ata që janë media opozitare, mendojnë për krahun përballë, që janë media të pushtetit, dhe mediat e pushtetit, domethënë, po të njëjtën narrativë përdorin për mediat ë e opozitës, le të themi.

Dhe justifikohen me idenë që, nëse kjo është një media e opozitës, po bën politikë me intervistën e Ben Ahmetajt. Thotë, është lufta e tyre politike, nuk është lufta jonë politike. Problemi është që është interesi publik. Domethënë.

E pra. Domethënë, më lër ta ta vendos kontekstin, të rri në pozicionin e tyre, të shoh si e mendojnë. Domethënë, si e mendon një media që sheh Syrin dhe sheh Ben Ahmetajn në intervistën e parë, të dytë, të tretë apo të katërt, dhe çfarë vendos të nesërmen në momentin që do të duhet patjetër të bëjë një debat publik, apo minimalisht të fillojë t'i marri një nga një ato detaje. Ia ka dhënë Çimit, ta bëjë Çimi këtë punë. Këta janë media opozitare, këta bëjnë opozitë, nuk kemi punë ne me këtë. Ne do merremi me gjërat që janë pak më safe, pak më institucionale e të tjera e të tjera. 

Nga krahu tjetër,  në qoftë se media do ta bënin intervistën e Ben Ahmetajt, të parën apo gjithë serinë me katër pjesë, pjesë të diskutimit publik, si do ta bënin, është pyetja. Në qoftë se do ta bënin sa për sy e faqe, dhe do të mblidhnin njerëz që do të bënin po politikë mbi këto, ë, fakte le të themi që ka nxjerrë Ben Ahmetaj, faktet e pretenduara sipas tij dhe me të gjithë dokumentat që të ka dhënë ty, për mendimin tim nuk do sillnin asnjë gjë të re.

Media duhet të bënin atë që ne as nuk e çojmë nëpër mend për të bërë, që mund ta bëjmë sepse e dimë pak a shumë sjelljen e mediave në Shqipëri, që pozicionet politike janë shumë të qarta dhe të ndara, që duhet të fillonin të investigonin. Domethënë, minimalisht në pak ditë mund të kishin marrë kohën e mjaftueshme për të gjitha ato fakte, t'i merrnin dhe t'i investigonin.

Ose në qoftë se do të donin të rrëzonin, po themi narrativën e zotit Ahmetaj, të kishin marrë kohë dhe të kishin rrëzuar të gjitha ato pikëpyetje, le të themi, dyshime apo denoncime që ai nxorri në lidhje me disa çështje. Këtë nuk e ka bërë askush dhe kjo ka shumë arsye, domethënë pse nuk është bërë. Më kryesorja është se nuk do njeri sot në këtë situatë dhe në këtë klimë të dali i pari me shpatë, e bën Syri thotë sepse normalisht është media opozitare, ne nuk jemi, po edhe në mos qofshim media të pushtetit, do presim pak sa të zyrtarizohen gjërat.

Domethënë, për mendimin tim, se e bën, se s'e bën, nuk ndryshojnë asnjë gjë në opinionin publik, pavarësisht se për rolin që kanë, për ta interpretuar të plotë, do duhet domosdoshmërisht interesin publik ta zbërthenin në një lloj forme. Qoftë ky edhe një denoncim politik të ishte nga zoti Ahmetaj. Pavarësisht se është ndryshe kur e thotë një njeri që ka qenë bashkëpunëtori yt, është ndryshe kur e thotë një zë i opozitës, të cilin ti mund ta konsiderosh shumë thjesht një akuzë politike. Ato të Ahmetajt nuk janë akuza, edhe politike, po jo vetëm politike. Ndaj them që nuk ka justifikim, po nuk është se presim ne që të kishte ndodhur diçka tjetër dhe të fillojmë ta diskutojmë pse s'ka ndodhur. Ne e dimë që as ka ndodhur, as ndodh, as nuk do ndodhë, besoj për një kohë të shkurtër.