Reagimi i Mbappe për shkarkimin e Alonsos nga Reali
Largimi i Xabi Alonsos nga Real Madrid për shumëkënd ka qenë i pritshëm për faktin e thjeshtë se trajneri kishte humbur kontrollin e plotë të dhomave të zhveshjeve. Dhe imazhi më i qartë ishte skena pas përfundimit të ndeshjes së Superkupës së Spanjës.
Pasi lojtarët e Realit morën medaljet e vendit të dytë, Alonso drejtoi disa futbollistë pranë podiumit për t’i këmbyer “respektin” lojtarëve të Barcelonës që i kishin bërë tunelin me duartrokitje pak çaste më parë.
Por ndërsa trajneri bënte një gjë të tillë, Kilian Mbappe e sfidoi publikisht.
Ai i bëri thirrje lojtarëve që të mos e bënin një gjë të tillë dhe të futeshin në dhomat e zhveshjeve.
Edhe Alonso e pranoi vendimin e sulmuesit francez për këtë çështje dhe u largua edhe ai kokulur me duar në xhepa.
Sot, pas shkarkimit të teknikut, ka ardhur edhe reagimi i Mbappe për këtë vendim të klubit.
“Ishte për një periudhë të shkurtër, por ishte kënaqësi të luaja për ty dhe të mësoja nga ty. Faleminderit që më dhe besimin që në ditën e parë. Unë do të kujtoj si një trajner i cili kishte ide të qarta dhe di shumë gjëra rreth futbollit. Fat të mbarë në kapitullin tënd të ardhshëm”, ishte reagimi i Mbappe në rrjetet sociale për largimin e Xabi Alonsos.