Drogë, armë dhe zhvatje, dënim i ri për bosin shqiptar Elvis Demçe

Drogë dhe zhvatje në Romë, dënohen 14 persona, mes tyre edhe bosi shqiptar, figurë e spikatur e narkotrafikut në kryeqytet dhe në zonën e Castelli Romani, Elvis Demçe.

Gjyqtari i hetimeve paraprake (GUP) i Romës e dënoi atë me 11 vjet e 4 muaj burg. Me vendimin e dhënë në procedurë të shkurtuar gjykata vendosi edhe dënime të tjera ndaj 14 të pandehurve, të cilëve u shtohen dy marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe 12 persona të tjerë të dërguar për gjykim, të cilët kanë zgjedhur procedurën e zakonshme.

Akuzat, të paraqitura në sallë nga prokurori Francesco Cascini, kanë të bëjnë me vepra penale që lidhen me drogën, armët dhe zhvatjet.

Elvis Demçe ndodhet tashmë në burg: është në regjimin 41-bis në burgun e Sassar-it; ai është bosi i parë italo-shqiptar i nënshtruar regjimit të burgut të ashpër. Dënimi i dhënë sot ndaj tij është në vazhdimësi me një dënim tashmë përfundimtar prej 15 vjetësh e 4 muajsh për trafik droge.

Këtyre u shtohet edhe një tjetër dënim, ende jo përfundimtar, prej 18 vjetësh e gjysmë për tentativë vrasjeje ndaj Alessio Marzani-t, 45 vjeç, i plagosur me armë zjarri në tetor të vitit 2020 në Acilia, Romë.

Sapo morën vesh për dënimin, reaguan avokatët që e përfaqësojnë Demçen, Marco Franco dhe Massimiliano Capuzi, të cilët u shprehën se janë kryesisht të pakënaqur me rezultatin e kësaj dite.

‘Na kënaq vetëm konstatimi i mungesës së metodës mafioze, e cila qartazi nuk ekziston, pavarësisht se e gjithë narrativa për Demçen ka qenë gjithmonë e ndërtuar mbi supozime mafioze, dhe kjo konfirmon paligjshmërinë e regjimit të burgut 41-bis të aplikuar së fundmi ndaj Elvisit, kanë deklaruar ata për Adnkronos, sipas nesh, llogaritja e dënimit është e gabuar: nuk janë vlerësuar kufijtë e parashikuar për veprën penale të vazhduar. Po ashtu, duam të trajtojmë çështjen që lidhet me përdorjen e përgjimeve Sky Ecc. Do të paraqesim ankim në apel’, përfunduan ata.