Berisha fton qytetarët në protestë më 24 janar: Të krijojmë një front të vërtetë opozitar për të përmbysur narko-diktaturën
Gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltore’ tek kryeministria lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha i është drejtuar qytetarëve me thirrjen për tu bërë pjesë e protestës kombëtare të 24 Janarit të thirrut nga opozita.
‘Me 24, të gjithë në këtë shesh për të treguar fuqinë e bashkimit të shqiptarëve, fuqinë e guximit të shqiptarëve, vizionin ne tyre, shpirtin e pamposhtur të popullit opozitar’, u shpreh Berisha.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Të dashur miq, opozita shqiptare ka vendosur të thërrasë një protestë me datën 24 janar, në të cilën të japim mesazhet e qarta, përfundimtare Edi Ramës.
Hiq dorë nga grushti i shtetit, prano ligji dhe Kushtetutën, përndryshe do të nxjerrim ne jashtë ligjit, jashtë Kushtetutës.
Ndaj dhe me 24, të gjithë në këtë shesh për të treguar fuqinë e bashkimit të shqiptarëve, fuqinë e guximit të shqiptarëve, vizionin ne tyre, shpirtin e pamposhtur të popullit opozitar.
Të dashur miq, këto ditë që na ndajnë është jetike që secili prej nesh të ulet rrafsh, të bisedojë me çdo qytetar, pavarësisht nga bindjet e tij politike.
Të bashkohemi, të bisedojmë me çdo intelektual, pavarësisht nga qëndrimet e tij, të dalë nga konformizmi, të harrojë se konformizmi është sëmundja më e tmerrshme e një intelektuali.
Se konformizmi nuk i lejon atij të përmbushë misionin e madh para qytetarëve, para popullit të tij.
Të bëjmë gjithçka për një front të vërtetë opozitar, i cili të përmbysë diktaturën e autokratit, e kleptokratit, Edi Rama, narkodiktatorit të parë dhe të vetëm në Europë.
I bëj thirrje të rinjve të ngrihen në lartësinë e misionit të shenjtë, hyjnor.
Gjenerata e tyre është gjenerata e misioneve të mëdha.
Gjenerata e tyre po përbys diktatura dhe epoka.
Ndaj dhe ftoj çdo të ri të këtij vendi të ngrihet në lartësinë e idealeve të tij dhe me guximin, energjinë të bëjë çdo gjë për largimin e këtij regjimi armiqësor ndaj shqiptarëve.