SYRI TV/ Komedia ‘24 orë nga jeta e një votuesi’/ Brisku: Ne harrojmë shpejt, harrojmë të zezat
“24 orë nga jeta e një votuesi” është një komedi satirë-kabare që, përmes humorit dhe auto-ironisë, ballafaqon publikun me peshën e votës dhe pasojat e zgjedhjeve ndër vite në realitetin shqiptar. E mbështetur në vargjet e Teodor Kekos dhe konceptin regjisorial të Driada Dervishit, shfaqja shndërrohet në thirrje reflektimi për publikun.
Syri TV
Si janë 24 orë nga jeta e një votuesi? Kjo është pyetja që shtrohet që në nisje të komedisë satirë-kabare, e cila me humor të mprehtë dhe realizëm godet thelbin e përditshmërisë shqiptare. Shfaqja hyn thellë në ndërgjegjen e publikut, duke ballafaquar aktin e votës me hapësirën ku jetojmë dhe pasojat e zgjedhjeve tona ndër vite. E bazuar në poemën satirike të Teodor Kekos “E të tjera, e të tjera”, dhe e ndërtuar nën konceptin regjisorial të Driada Dervishit, “24 orë nga jeta e një votuesi” trajton problematikat shoqërore e politike me një hollësi të mprehtë, duke krijuar jo vetëm të qeshura, por edhe reflektim. Komunikimi i drejtpërdrejtë me publikun e shndërron shfaqjen në një pasqyrë ku secili sheh veten dhe historinë e tij.
Shfaqja e vendos spektatorin përballë një pasqyre të pakëndshme mënyrës se si vota shndërrohet shpesh në zakon. Përmes satirës dhe humorit të hidhur, “24 orë nga jeta e një votuesi” rindërton ciklin e harresës kolektive, duke e lidhur të shkuarën me të tashmen dhe duke treguar se historia politike përsëritet pikërisht aty ku mungon reflektimi. Për aktorin Xhuliano Brisku, i cili heq dhe vesh disa role brenda komedisë forca e shfaqjes qëndron te momenti kur publiku kupton se çdo zgjedhje e bërë pa u menduar gjatë prodhon të njëjtat pasoja.
Për aktorin Arben Derhemin, teatri merr kuptim vetëm atëherë kur arrin të zgjojë vetëdijen dhe të nxisë përgjegjësi individuale, përtej duartrokitjes së çastit.
Auto-ironia mbetet një nga armët më të forta të shfaqjes, duke e ftuar publikun të qeshë me veten për të kuptuar më thellë realitetin. Vargjet e Teodor Kekos sjellin në skenën e Arturbinës nga data 13-18 Janar, historinë e një populli dhe rrugëtimin e tij përgjatë 35 viteve të fundit, duke e kthyer “24 orë nga jeta e një votuesi” në thirrje për reflektim qytetar.