Greqi: Në pikëpyetje takimi i Mitsotakis me fermerët protestues, dialogu me qeverinë mbetet i pasigurt
Është e pasigurt nëse nesër, të martën, kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, do të zhvillojë takime me delegacionet e fermerëve grekë, të cilët që nga nëntori po protestojnë për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike. Protestat janë shoqëruar me ndërprerje të trafikut dhe bllokime të herëpashershme të rrugëve, porteve dhe pikave kufitare.
Fermerët pritet të vendosin vetëm pasditen e sotme nëse do të marrin pjesë në takime, ndërsa nga 57 blloqet e ashtuquajturit “Komiteti Gjithë-Grek”, një pjesë tashmë ka deklaruar se nuk do të shkojë. Sipas tyre, insistimi i qeverisë që takimet të zhvillohen me dy grupe përfaqësuesish nga 20 persona, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 18 blloqeve të ndara nga Komiteti, shihet si përpjekje për të thelluar përçarjet mes fermerëve.
Zëvendëskryeministri grek, Kostis Hadsidakis, deklaroi se “është e paimagjinueshme që disa agro-sindikalistë të refuzojnë dialogun”, duke theksuar se ndihma financiare për fermerët është e kufizuar jo vetëm nga buxheti shtetëror, por edhe nga politikat dhe buxheti i Bashkimit Evropian. Ai nënvizoi se qeveria ka mbajtur një qëndrim të moderuar, për shkak të problemeve reale dhe dëshirës për dialog.
Hadsidakis sqaroi se propozimi për dy takime erdhi pasi “disa prej tyre nuk dëshirojnë të jenë në të njëjtën dhomë me të tjerët”, duke lënë të kuptohet për ndikim të politikës partiake në protesta. Ai shtoi se qeveria ka përmbushur plotësisht ose në masë të konsiderueshme 20 nga 27 kërkesat e fermerëve dhe ka dhënë 3.8 miliardë euro ndihmë për vitin 2025.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i qeverisë për median, Pavlos Marinakis, tha se nuk janë planifikuar masa shtesë përtej atyre që janë shpallur tashmë. Ai theksoi se Greqia është i vetmi vend i BE-së ku fshatrat kanë pasur energji elektrike me çmim të ulët dhe të fiksuar për dy vjet, duke përfituar rreth 160 mijë familje rurale.
Marinakis shtoi se qeveria ka treguar tolerancë deri tani, por qëllimi është rikthimi i normalitetit, duke e cilësuar sjelljen e fermerëve si të papranueshme për shkak të pasojave që shkakton për shoqërinë.