Askush si Pep Guardiola/ Trajneri që theu barrierën e 2 miliardë eurove në merkato

Pep Guardiola vazhdon të shkruajë histori, jo vetëm në fushë, por edhe në merkato.

Trajneri spanjoll është bërë i pari në histori që ka kaluar shifrën e 2 miliardë eurove të shpenzuara për transferime, që nga momenti kur mori drejtimin e Manchester City-t në vitin 2016.

Kalimi i kësaj barre simbolike u vulos me afrimin e sulmuesit Antoine Semenyo nga Bournemouth për 72 milionë euro, transferim që e çoi totalin e shpenzimeve të Guardiola-s me “Citizens” mbi 2 miliardë euro.

Nëse përfshihen edhe periudhat e tij te Barcelona dhe Bayern Munich, shifra totale e investimeve në merkato arrin pothuajse 2.6 miliardë euro.

Afrimi më i shtrenjtë i karrierës së Guardiola-s mbetet ende Jack Grealish, i cili u transferua te Manchester City në vitin 2021 për rreth 118 milionë euro, një rekord për klubin anglez në atë kohë.

Me këtë statistikë, Pep Guardiola lë pas trajnerë të mëdhenj si José Mourinho, i cili gjatë karrierës së tij ka shpenzuar më pak se 2 miliardë euro.

Pesëshja e parë e trajnerëve me shpenzimet më të mëdha plotësohet nga Carlo Ancelotti, Massimiliano Allegri dhe Diego Simeone, të cilët kanë kaluar kufirin e 1.5 miliardë eurove.

Ndërkohë, blerja më e fundit e Manchester City-t po jep menjëherë sinjale pozitive.

Semenyo debutoi me gol në fitoren spektakolare 10-1 ndaj Exeter në FA Cup, duke realizuar një gol të bukur në minutën e 54-t.

Sulmuesi kishte kontribuar gjithashtu me një asist në mesjavë, te goli i pestë i shënuar nga Lewis.

Një tjetër dëshmi se, pavarësisht shifrave marramendëse, Guardiola vazhdon të kërkojë dhe të gjejë rezultate.