3 fëmijët në Durrës/ Shërbimi Social: Do të mbahen në spital, shtëpia do të dezinfektohet dhe nënës do t'i ofrohet punë...

Drejtoria e Shërbimit Social pranë Bashkisë së Durrësit, bën me dije se ka përfunduar mbledhja e Grupit Teknik Ndërsektorial (GTN), ku marrin pjesë Shërbimi Social, organizata jofitimprurëse, Policia, Shëndetësia dhe institucione të tjera, lidhur me situatën e tre fëmijëve dhe nënës së tyre, Blerina Basha.

Në këtë mbledhje u vendos që familjes t’i ofrohet menjëherë ndihma e nevojshme. Tre fëmijët do të dërgohen urgjentisht në spital, ku do të pajisen me veshmbathje dhe do të sigurohen të gjitha medikamentet e nevojshme për trajtimin e tyre shëndetësor. Gjithashtu, do të kryhet pastrimi dhe dezinfektimi i banesës ku ata jetojnë. Financimi i këtyre ndërhyrjeve do të mbulohet nga organizatat ARSIS dhe Ëorld Vision.

Ndërkohë, familja do të asistohen për zhvendosjen e regjistrimit të vendbanimit nga Vau i Dejës, pasi aktualisht me dokumente rezultojnë banorë të Malësisë së Madhe, në Bashkinë e Durrësit. Pas regjistrimit si banorë të Durrësit, bashkia do t’i përfshijë në listën e familjeve që do të strehohen në banesa sociale.

Për nënën e fëmijëve, nëpërmjet Zyrës së Punës, do të ofrohet sërish një vend pune dinjitoz, me orar 8-orësh, në mënyrë që ajo të ketë mundësi të kujdeset dhe të mirërrisë fëmijët e saj, duke mos punuar më 16 orë në ditë. Po ashtu, asaj do t’i ofrohen kurse prindërimi në funksion të përmirësimit të kujdesit ndaj fëmijëve.

Shërbimi Social ka bërë të ditur se familja do të jetë nën monitorim të përditshëm, me kontrolle dhe mbikëqyrje të vazhdueshme për mbarëvajtjen e situatës. Nëna do të jetë në një periudhë prove për të vlerësuar nëse është e aftë të mbajë kujdestarinë ndaj fëmijëve të saj.

Njoftimi i plotë:

Drejtoria e Shërbimit Social pranë Bashkisë së Durrësit nëpërmjet drejtoreshës së saj Diola Xhango bën me dije se pak më parë ka përfunduar mbledhja e GTN(Grupi Teknik Ndërsektorial)ku bëjnë pjesë: vetë shërbimisocial OJQ,Policia,Shëndetësia etj.lidhur me ndihmën për 3 fëmijët dhe nënën e tyre Blerina Basha.
U vendos që menjëherë tu vihet në ndihmë atyre duke i dërguar urgjent në spital të 3 fëmijëve veshmbathje,të gjitha medikamentet për trajtimin e sëmundjes.Do të bëhet pastrimi dhe dezinfektimi i banesës.Këto i morën përsipër ti financojnë ARSIS dhe World Vision.
Ndërkohë familja do të ndihmohet që ta zhvendosë regjistrimin nga Vau i Dejës(pasi me letra janë banorë të Malsisë së Madhe) dhe të regjistrohen si banorë të Durrësit.Duke u bërë banorë të Durrësit,bashkia do ta regjistrojë në listën e atyre që do të strehohen në banesa sociale.
Nënës,nëpërmjet Zyrës së Punës,do ti ofrohet sërish një punë dinjitoze në mënyrë që të mos punojë 16 orë sikundër pretendon por 8 orë në mënyrë që të mirërrisë fëmijët e saj.Nënës gjithashtu do ti ofrohen kurse prindërimi në funksion të mirërritjes së fëmijëve.Për çdo ditë do të kryhen kontrolle mbikqyrje nga shërbimi për mbarëvajtjen e familjes.Pra ajo do të jetë në provë për të parë nëse është e aftë të mbajë kujdestarinë ndaj fëmijëve apo jo.