Luhet sot ndeshja që vendos fatin e Ronaldos në Arabinë Saudite
Cristiano Ronaldo përballet sot me ndeshjen më vendimtare të sezonit në Arabinë Saudite. Al Nassr pret Al Hilal këtë pasdite (e hënë), në një duel që mund të përcaktojë fatin e titullit kampion.
Aktualisht, Al Nassr renditet në vendin e dytë, katër pikë pas rivalëve të Al Hilal. Një humbje tjetër do ta çonte diferencën në shtatë pikë, duke i shuar pothuajse përfundimisht shpresat për titullin e parë të Ronaldos në kampionatin saudit.
Skuadra e Al Nassr kryesoi renditjen për pjesën më të madhe të sezonit, por një seri negative me një barazim dhe dy humbje në javët e fundit e ka zbritur në vendin e dytë. Pikërisht për këtë arsye, përballja e sotme konsiderohet vendimtare.
Trajneri Jorge Jesus ka nevojë për versionin më të mirë të Cristiano Ronaldos për të mbajtur gjallë garën për titullin. Edhe pse portugezi ka shënuar katër gola në pesë ndeshje pas rikthimit nga pauza e Kupës Arabe, forma e tij është ende larg nivelit maksimal.
Në ndeshjen e fundit ndaj Al Qadsiah, ndikimi i tij ishte i kufizuar, ndërsa lojtari më aktiv në sulm ishte Joao Felix, te i cili Al Nassr mbështet shpresa të mëdha edhe sot.
Nga ana tjetër, Al Hilal vjen me një repart ofensiv shumë të rrezikshëm, ku spikasin emra si Marcos Leonardo, Darwin Nunez, Salem Al Dawsari dhe Malcom.
Trajneri Simone Inzaghi nuk do të ketë në dispozicion Joao Cancelon, i cili është pranë transferimit te Barcelona, por rikthen Theo Hernandezin pas pezullimit.
Të dyja skuadrat kanë mungesa të rëndësishme për shkak të Kupës së Afrikës, me Sadio Manen që mungon te Al Nassr, ndërsa Al Hilal nuk do të ketë në dispozicion Bono dhe Koulibaly.
Kjo ndeshje është jetike për Cristiano Ronaldon. Sot, ai luan jo vetëm për sezonin e Al Nassr, por edhe për mundësinë reale për të fituar titullin e tij të parë në nivel klubesh pas pesë vitesh.