Rama ka 8 firma në dosjen 'Partizani' Malltezi: Të thirret në gjykatë, do e vëmë me përgjegjësi pas murit

Zgjati disa orë seanca e dosjes ‘Partizani’ sot në GJKKO por nuk u ezauruan të gjitha parashtrimet për shkak të afateve kohore që mori paraqitja e shqyrtimeve e avokatëve.

Seanca nisi me parashtrimet e avokates së zotit Berisha, Klodiana Gjyzari që e konsideroi proces totalisht të nxitur politikisht dhe iu referua kryeministrit Edi Rama që në një takim me PS-në jepte mesazhe drejt drejtësisë që të ndërmerrnin veprime ndaj kreut të PD-së. Ndërsa më pas parashtrimet i bëri dhe Jamarbër Malltezi. Këto parashtrime do vijojnë dhe seancën e ardhshme.

Në një prononcim për median Malltezi bëri të ditur se ka kërkuar zyrtarisht thirrjen e Kryeministrit Edi Rama si dëshmitar në procesin gjyqësor pasi firma e Ramës gjendet në të paktën tetë dokumente të dosjes hetimore.

Sipas Malltezit, prokurorët “e nënshtruar politikisht” nuk kanë dëshirë ta pyesin kryeministrin, por ai këmbëngul se do ta vendosë “me përgjegjësi pas murit”. Ai gjithashtu njoftoi se ka kërkuar praninë e medias në seancat e ardhshme, një kërkesë që sipas tij është miratuar nga gjyqtarët, me kushtin që vetë mediat të bëjnë një kërkesë formale

“Shpresojmë që kjo kërkesë do pranohet dhe do kemi Edi Ramën fillimisht si dëshmitar. Natyrisht, prokurorët e nënshtruar politikisht nuk do kenë dëshirë ta pyesin, sepse e kanë dëshmuar që s'kanë pasur. Ndonëse firma e Edi Ramës del në të paktën tetë dokumenta në materialet e dosjes. Neve do e vëmë me përgjegjësi pas murit. Kërkova që seancën e ardhshme të ketë prezencë të medias. Gjyqtarët thanë, kjo nuk varet nga ju, por varet nga kërkesa e mediave. Unë kërkoj që kamerat të jenë në sallë. Meqenëse kemi gazetarët, ju lutem, drejtojini kërkesë që kamerat të jenë në sallë. Të kemi parasysh që edhe në gjykatën e Hagës, që fliten sekrete të para 20 e kusur viteve, janë kamerat në sallë. Le të jenë kamerat në sallë. Ne kemi shumë falsifikime dhe gënjeshtra që kanë bërë prokurorët e nënshtruar politikisht. Ju si media, bëjeni kërkesë”

“Unë gjithashtu kërkova që të kem të drejtën e paraqitjes me projektor të fakteve, pasi që kam shumë herë më tepër foto çarmatosëse për falsifikimet dhe gënjeshtrat e prokurorëve të nënshtruar politikisht, sesa ka nevojë për fjalë. Kjo kërkesë u pranua. Shpresojmë që në gjysmën e dytë të datës 26 do fillojë prezantimi im dhe ju ftoj që të jeni aty present”

Në mbrojtje të tij, Malltezi pohoi se në këtë rast nuk ekziston asnjë fakt penal dhe asnjë dëm ekonomik për shtetin dhe se Rama fillimisht do të jetë dëshmitar e më pas në pozitë tjerë proceduriale

“Nuk ka çarje, sepse Zoti Rama del në ndërrim e destinacionit, zoti Rama del në autorizim që ka bërë për, del në të gjithë dokumentat. Pra është zoti Rama që ka dhënë lejen e ndërtimit, është zoti Rama që ka bërë ndërrim e destinacionit. Domethënë, është kaq evidente sa nuk ka. Përndryshe, do të duhet që gjykata të pranojë një gjyq pa asnjë lloj standardi. Faleminderit. Zoti Rama do jetë si dëshmitar, po unë e them, së shpejti zoti Rama do jetë si dëshmitar, por më pas do jetë edhe në pozitë tjetër proceduriale. Të kemi parasysh që në këtë situatë nuk ka asnjë fakt penal. Të kemi parasysh, cili është interesi publik? S'ka pasur asnjë lekë shteti. Përkundrazi, shteti ka përfituar 800.000 euro nga pagesat jonë e pronarëve për të marrë gjënë e tyre. Atëherë, ku ka qenë interesi publik? Toka ishte private. Objektet ishin të uzurpuara. Privatizimi u nis nga Majko, Angjeli dhe dhe Klosi. Ndërrimi i destinacionit u bë Edi Rama? Fajin e ka Saliu. Kjo u bë meme”

Seanca tjetër u caktua më 26 janar në ora 10:00. Do të vijojë me përmbledhjen e kërkesa dhe parashtrimit nga Jamarbër Malltezi, ndërsa janë dhe të pandehur të tjerë që do të bëjnë mbrojtjen e tyre.