PL: Qeveria dështoi, dëmshpërblimi i banorëve është i domosdoshëm dhe urgjent
Në një deklaratë për mediat, Jasmira Memelli, Zëdhënëse e Presidentit të Partisë së Lirisë, ka theksuar se situata e përmbytjeve në Shqipëri është një pasqyrë e dështimit total të qeverisë për të mbrojtur qytetarët dhe pronën e tyre.
Ajo ka theksuar se banorët e zonave të përmbytura janë lënë të vetëm përballë pasojave shkatërruese dhe se qeveria ka dështuar të ofrojë një plan real parandalimi. Partia e Lirisë kërkon dëmshpërblim të menjëhershëm dhe të plotë për të gjithë ata që janë prekur nga përmbytjet, pa vonesa apo burokraci të panevojshme.
Memelli gjithashtu kërkon shpalljen e gjendjes së emergjencës dhe transparencë të plotë për mënyrën se si janë shpenzuar fondet e emergjencave, duke akuzuar qeverinë për neglizhencë dhe korrupsion që ka sjellë këtë situatë katastrofike.
Deklarata:
Situata e përmbytjeve në Shqipëri është pasqyra më brutale e dështimit total të kësaj qeverie për të mbrojtur qytetarët dhe pronën e tyre. Çdo vit, me të njëjtën arrogancë dhe papërgjegjshmëri, qeveria lë mijëra familje të përballen të vetme me pasojat shkatërruese të përmbytjeve, pa asnjë plan real parandalimi dhe pa asnjë reagim serioz emergjent.
Banorë të zonave të tëra janë sot të izoluar, shtëpi të shkatërruara, biznese të falimentuara, toka bujqësore të mbuluara nga uji dhe balta, ndërsa institucionet shtetërore kufizohen vetëm në deklarata boshe dhe propagandë mediatike. Për vite me radhë janë shpërdoruar miliarda lekë për projekte fantazmë, paratë e taksapaguesve janë shpërdoruar për koncesione, inceneratorë që nuk ekzistojnë dhe afera korruptive, ndërkohë që kanalet kulluese, argjinaturat dhe infrastruktura mbrojtëse janë lënë në mëshirë të fatit.
Kjo nuk është fatkeqësi natyrore , por fatkeqësi qeveritare.Qeveria mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për mungesën e investimeve, për keqmenaxhimin e territorit, për betonizimin e pakontrolluar dhe për injorimin e paralajmërimeve të përsëritura nga ekspertët dhe komunitetet lokale.
Në solidarizim të plotë me qytetarët në zonat e përmbytura, Partia e Lirisë kërkon:
Dëmshpërblim të menjëhershëm dhe të plotë për të gjithë banorët e prekur, pa burokraci dhe pa vonesa të qëllimshme.
Shpalljen e gjendjes së emergjencës në zonat e përmbytura dhe mobilizimin real të të gjitha strukturave shtetërore.
Transparencë të plotë mbi fondet e emergjencave dhe mënyrën se si janë shpenzuar deri më sot si dhe përgjegjësi politike dhe ligjore për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë situatë përmes neglizhencës dhe korrupsionit.
Qytetarët nuk mund të vazhdojnë të paguajnë çmimin e paaftësisë dhe arrogancës së kësaj qeverie. Shqipëria ka nevojë për institucione që parandalojnë krizat, jo që shfaqen vetëm pasi dëmi është bërë.
Kjo qeveri ka humbur çdo legjitimitet moral për të folur për menaxhim krizash.
Justifikimet dhe premtimet boshe nuk pinë më ujë.
Dëmshpërblimi i banorëve është i domosdoshëm dhe duhet të jete i menjëhershëm.