Jashari, ku je? Milani pret goditjen e parë nga blerja më e shtrenjtë e verës
Milani nuk shkëlqeu në ndeshjen e fundit në fushën e Fiorentinës dhe vështirësitë në ndërtimin e lojës kanë rihapur një debat të ndjeshëm në ambientin kuqezi: çfarë po ndodh me Ardon Jasharin? Mesfushori 23-vjeçar, i ardhur në verë nga Club Brugge për shifrën e rëndë prej 36 milionë eurosh, ende nuk ka arritur të lërë gjurmë të dukshme në fushë.
Investimi i madh ka krijuar pritshmëri po aq të mëdha. Jashari është blerja më e shtrenjtë e Milanit në merkato verore dhe, për rrjedhojë, vëmendja mbi të është e vazhdueshme. Megjithatë, deri tani, shifrat tregojnë një kontribut ende të kufizuar: 276 minuta të shpërndara në 6 paraqitje mes Serisë A, Kupës së Italisë dhe Superkupës. Një bilanc që, për momentin, nuk justifikon peshën e investimit.
Duhet thënë se fillimi i sezonit është kushtëzuar edhe nga një dëmtim i hershëm, që i ka prishur ritmin dhe procesin e ambientimit. Edhe trajneri Massimiliano Allegri ka dalë në mbrojtje të lojtarit pas ndeshjes në Firence. “Për mua bëri një ndeshje të mirë, nuk ishte e thjeshtë. I dha një top të mirë Estupiñánit, por duhet ta kuptojë futbollin italian, që nga jashtë duket i lehtë. Lojtarët që vijnë nga kampionate të tjera shpesh e kanë të vështirë përshtatjen”, u shpreh Allegri.
Vlerësimi mesatar (5,5) pas ndeshjes Fiorentina–Milan pasqyron pikërisht këtë fazë tranzicioni: cilësi teknike të dukshme, por ende mungesë e asaj ashpërsie agonistike që kërkon Seria A. Milani pret, Jashari gjithashtu. Pyetja mbetet: kur do të vijë shpërthimi i parë i vërtetë?