Maliq/ 'Dhjetëra familje të izoluara pas çarjes së argjinaturës', banori: Po na vështirësohet jetesa!
Florant Delollari, banor i fshatit Mesmal në Bashkinë e Maliqit, tregon se ai dhe dhjetëra familje të tjera janë izoluar si pasojë e çarjes së argjinaturës së kanalit që shërben për shkarkimin e ujërave të një hidrocentrali në zonë.
Si pasojë e kësaj situate, aksi kryesor i fshatit është bërë i pakalueshëm, duke bllokuar plotësisht qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e banorëve.
Sipas Delollarit, rruga është tërësisht e bllokuar, ndërsa izolimi po e vështirëson ndjeshëm jetën e përditshme të banorëve dhe përbën rrezik serioz në raste emergjencash shëndetësore.
Ai shprehet se për të dalë nga fshati është detyruar të ecë rreth një orë në këmbë, ndërsa për transport drejt qytetit të Maliqit ka paguar deri në 40 mijë lekë të vjetra, një kosto e papërballueshme për shumë familje të zonës.
Situata paraqitet kritike dhe banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për hapjen e rrugës dhe rikthimin e aksesit normal në fshat, pas disa ditësh izolimi.
Sipas Delollarit, vështirësi të mëdha po hasin edhe fermerët e zonës, të cilëve u është pamundësuar transporti i produkteve bujqësore drejt tregut.
Bashkia e Maliqit, veçanërisht zonat e saj të sipërme, vijon të përballet me problematika të përsëritura të erozionit dhe rrëshqitjeve të dherave në akset rurale.
Pas kontaktit me zyrtarë të Bashkisë Maliq, bëhet me dije se rrëshqitja e dheut në rrugën e Mesmalit është regjistruar mbrëmjen e djeshme.
Aktualisht janë dërguar disa mjete për hapjen dhe sistemimin e rrugës, e cila pritet që së shpejti të bëhet e aksesueshme për banorët.