Propozimi për ndërhyrjen e NATO-s në Grenlandë është në tryezë, Trump mbetet i palëkundur

Edhe një herë, politikanët evropianë po mobilizohen për të qetësuar Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe për të parandaluar një përshkallëzim maksimal në lidhje me Groenlandën.

Përpara vizitës së tij në SHBA të hënën, Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul njoftoi se Berlini, në parim, është i përgatitur të japë një kontribut më të madh për sigurinë në Arktik. Kjo do të bëhet në kuadër të një misioni të NATO-s.

Kancelari gjerman Friedrich Merz foli gjithashtu gjatë udhëtimit të tij në Indi, duke u thënë gazetarëve të hënën se ai priste që Shtetet e Bashkuara të vazhdonin të punonin me Danimarkën për të mbrojtur Groenlandën.

 "Ne po zhvillojmë bisedime shumë të hollësishme me qeverinë daneze dhe thjesht duam të bashkëpunojmë për të përmirësuar situatën e sigurisë për Groenlandën", tha Merz. "Unë supozoj se edhe amerikanët do të marrin pjesë", shtoi ai, duke vënë në dukje se bisedimet në ditët dhe javët në vijim, do të zbulojnë formën që do të marrë ky bashkëpunim, siç raportohet nga Reuters.

Më parë, shtetet anëtare të aleancës ushtarake transatlantike kishin propozuar një operacion mbikëqyrjeje të quajtur "Arctic Sentry". Bazuar në misionin e nisur së fundmi "Baltic Sentry", ai synon të monitorojë aktivitetet ushtarake në Arktik. Ky propozim synon të qetësojë frikën e Trump për anijet luftarake ruse dhe kineze në rajon.

Reagimi i Pekinit

Por presidenti amerikan nuk mbeti i impresionuar nga propozimi dhe përsëriti pretendimin territorial ndaj Groenlandës të dielën. Në bordin e Air Force One, ai theksoi se SHBA-të donin ta “zotëronin” Groenlandën, jo ta “merrnin me qira”. Nëse Uashingtoni nuk e merrte kontrollin, do ta bënin Rusia ose Kina, argumentoi ai.

Këto deklarata të ripërtërira kanë nxitur edhe një reagim nga vetë Pekini. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, deklaroi në një konferencë për shtyp të hënën, se Arktiku është një çështje "me interes të përgjithshëm për bashkësinë ndërkombëtare". Ajo shtoi se aktivitetet e Kinës synojnë promovimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon.

Kina nuk është ende një lojtare

Ekspertët supozojnë se aktivitetet kineze në Arktik - veçanërisht rreth Svalbardit - synojnë të fitojnë më shumë njohuri rreth shtratit të detit dhe kushteve detare. Kjo ka për qëllim të çojë përpara zhvillimet ushtarake. Megjithatë, siç tha Peter Viggo Jakobsen i Akademisë Daneze të Mbrojtjes për STANDARD javën e kaluar, Pekini është ende "pesë deri në dhjetë vjet" larg nga të qenit një lojtar i vërtetë në rajon.

Në Grenlandë, retorika e ashpër e Trumpit, vazhdimisht e përdorur, po i nxit njerëzit të përgatiten për një emergjencë, raporton transmetuesi danez DR. Ndër masa të tjera, popullsia po rimbush rezervat e karburantit për të siguruar furnizim me energji për disa ditë, duke përdorur gjeneratorë emergjence.

Takimi të mërkurën

Në një takim në Uashington të mërkurën midis Ministres së Jashtme të Groenlandës, Vivian Motzfeldt, Ministrit të Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen dhe homologut të tyre amerikan, Marco Rubio, do të diskutohen hapa konkretë për të çaktivizuar konfliktin.

Në një intervistë me stacionin televiziv KNR të Groenlandës, Motzfeldt tha se ajo, si përfaqësuesja kryesore e groenlandezëve, duhet të flasë: "Vendi ynë nuk është në shitje. Siguria e popullsisë tani është më e rëndësishme se kurrë". Motzfeldt kishte sugjeruar gjithashtu një takim të veçantë, më vonë, me Rubion javën e kaluar. "Çfarë do të ishte e gabuar nëse ne do të zhvillonim bisedime vetëm me SHBA-në? ​​Unë supozoj se ne (Danimarka dhe Groenlanda) ndajmë disa vlera dhe parime politike të përbashkëta, që të dy vendet i mbështesin", tha Motzfeldt për DR të premten.

Groenlanda dëshiron politikën e vet të jashtme

Groenlanda po punon drejt krijimit të një shteti, dhe kjo do të thotë se duhet të punojë edhe për politikën e saj të jashtme: "Por nuk jemi ende atje. Deri atëherë, kemi disa ligje dhe korniza që duhet t'i përmbahemi", tha ministri, duke iu referuar marrëveshjes, sipas së cilës Danimarka përcakton sigurinë dhe politikën e jashtme të territorit.

Të premten, një grup senatorësh amerikanë do të udhëtojnë për në Kopenhagen për t'u takuar me ligjvënës danezë dhe gronlandezë. Kryetarja e Komitetit të Groenlandës, Aaja Chemnitz, kishte punuar me senatoren republikane, Lisa Murkowski nga Alaska për të organizuar takimin. Murkowski është një kritike e zëshme e retorikës agresive të Trump, në lidhje me Groenlandën. Chemnitz e përshkroi vizitën e delegacionit amerikan në Danimarkë, si "lajm të mirë": "Është e rëndësishme për ne të shfrytëzojmë të gjitha kanalet diplomatike që kemi në këtë nivel", tha ligjvënësja groenlandeze për radion daneze. "Kemi dëgjuar shumë të pavërteta rreth Groenlandës dhe mendoj se është thelbësore që të nxjerrim në pah një pjesë të së vërtetës."/ Der Standard.