Laporta tallet me Mbappé-në: Duhet të ketë qenë shumë i mërzitur...
Joan Laporta u shfaq i lumtur për titullin e Superkupës të fituar në Jeddah ndaj Real Madridit, por gjithashtu i habitur nga refuzimi i lojtarëve madrilenë për të bërë korridorin në respekt të fituesve të turneut.
Pas përfundimit të ndeshjes dhe ndarjes së medaljeve për lojtarët e Real Madridit, u pa Mbappé duke i urdhëruar shokët e skuadrës që të largoheshin nga fusha dhe të shkonin në dhomat e zhveshjes. Ky veprim nuk i pëlqeu presidentit të Barcelonës, i cili e komentoi në një intervistë për Rac1:
"Më habit që nuk na bënë korridorin. Duhet të jemi bujarë dhe të respektojmë kundërshtarin edhe kur humbasim, por kuptoj që për ta duhet të kenë qenë momente shumë të vështira. Duhet të kenë qenë shumë të irrituar dhe kjo shpjegon reagimin e tyre."
Laporta gjithashtu foli për luftën sportive të ekipit gjatë ndeshjes:
"Lojtarët tanë po luanin shumë mirë dhe kishim kontroll të plotë mbi ndeshjen... por e dija që Real Madrid mund të na krijonte vështirësi në çdo kundërsulm. Megjithatë, kishim kontrollin e ndeshjes dhe kjo më jepte qetësi. Ishim shumë superiorë ndaj Madridit dhe mund të kishim fituar me diferencë edhe më të madhe."
Presidenti katalanas përgëzoi gjithashtu Hansi Flick-un dhe stafin teknik për menaxhimin e emocioneve të ekipit:
"Flick dhe stafi teknik treguan ndjeshmëri duke nxjerrë Araujo-n në fushë, që të ndiehej i dobishëm dhe kapiten sërish. Ishte diçka e mrekullueshme. Kur folëm, i thashë që ishte një moment shumë emocional dhe ai e kuptoi që ishte rikthyer. E kemi sërish me ne. Gjërat duhen bërë në ritmin e duhur dhe ai ka hedhur hapin e duhur falë Flick-ut dhe shokëve të skuadrës. Ishte shumë i kënaqur dhe i emocionuar."
Laporta gjithashtu foli për planifikimin sportiv dhe zgjedhjet e ardhshme:
"Për planifikimin sportiv, ndoshta zgjedhjet duhet të organizoheshin më herët. Një zgjedhje krijon një barrë për organizimin dhe mund të shkaktojë disa deformime. Një mundësi do të ishte marsi. Por në fund të sezonit, pas përfundimit të të gjitha detyrave, edhe pesëmbëdhjetë ditët e qershorit mund të ishin të mira."
Presidenti konfirmoi edhe që Hansi Flick do të qëndrojë gjatë me klubin:
"Flick ka kontratë dhe do të jetë me ne për shumë sezone të tjera. Kemi një trajner të madh me kontratë, e cila është bërë me zemër dhe ka një lidhje të fortë me qytetin."
Laporta foli gjithashtu për situatën e lojtarëve si Joao Cancelo dhe Ter Stegen, duke konfirmuar që të dy do të vazhdojnë me klubin dhe pozicionet e tyre janë të sigurta.