Berisha: Ramën nuk do e heqë drejtësia apo ‘Deltat’, atë do ta heqin qytetarët shqiptarë me protestat e tyre

Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka theksuar se Edi Rama është i vendosur të përdorë të gjitha mjetet dhe fuqinë që ka për të bllokuar drejtësinë dhe për të penguar proceset ligjore, duke shfrytëzuar shumicën e tij parlamentare dhe "krimin" që e mbështet.

Sipas tij, Rama nuk do të mund të largohet nga pushteti përmes mekanizmave të drejtësisë apo forcave të jashtme si “Deltat”, por ai do të largohet vetëm nga qytetarët shqiptarë, përmes protestave masive që do të zhvillohen në shenjë kundërshtimi ndaj tij.

Berisha shprehu besimin e plotë se populli shqiptar do të jetë ai që do të ndëshkojë dhe të largojë këtë qeverisje, duke i dhënë fund një periudhe të errët për Shqipërinë.

Fjala e tij:

Nuk ka asnjë diskutim që Edi Rama bën gjithçka, dhe jo bën, por do të bllokojë drejtësinë. Do të përdorë 83 mandatet e tij të krimit, kundër drejtësisë. Dhe këtu ndaj themi ne, fjalën e vetme e kanë qytetarët shqiptarë.

Ne kemi theksuar dhe theksojmë, Edi Ramën nuk do ta heqë drejtësia. Edi Ramë nuk do ta heqin ‘Deltat’, atë do ta heqin qytetarët shqiptarë me protestat e tyre.
Nuk kemi asnjë lloj dyshimi në këtë qëndrim, në këtë mendim.