Superskandali i Durana-s/ Berisha: Mafia shqiptare përvetësoi projektin e kompanisë prestigjioze EPAM
Kreu i PD-së, gjatë një fjalës së tij, denoncoi një tjetër skandal që përfshin mafian shqiptare dhe projektin e kompanisë prestigjoze EPAM, një nga liderët globalë në sektorin high-tech.
Berisha u shpreh se ky është një skandal i ngjashëm me skenarët më horror të vjedhjes së pasurive publike. Ai solli në vëmendje projektin për krijimin e një parku virtual të high-tech në Shkoz, i njohur si “Silicon Valley i Durrësit”.
Ky projekt, që ishte në duar të një prej gjigantëve të teknologjisë, EPAM, u bllokua dhe u përvetësua nga mafia shqiptare, duke penguar një mundësi të madhe investimi për Shqipërinë. Berisha akuzoi qeverinë e Edi Ramës dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij, duke thënë se kjo është një tjetër shfrytëzim i pasurive publike për interesa kriminale dhe korruptive.
Fjala e tij:
Sot jam këtu për superskandalin e ri që denoncoi me përgjegjësi të plotë ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.
Jam këtu për parkun virtual të high-tech, apo de facto Troplanën e Shkozetit, një skandal i denjë për filmat më horror në gjininë e vjedhjeve të pasurive publike.
Ja, ky është Silicon Valley i Edi Ramës, Armand Frangut, Fatmir Troplinit që quhet Durana.
3 vite më parë, se ka historinë e vet, një nga gjigantët e high-techut, vendosur në Ukrainë, EPAM, pas agresionit rus ndaj Ukrainës, vendos që të spostojë sipërmarrjen e tij të madhe në një vend tjetër dhe përzgjedh Shqipërinë.
Presidenti i kësaj kompanie, ndër më të fuqishmet në botë, me xhiro miliarda dollarë, vjen në Shqipëri dhe pritet nga kreu i organizatës kriminale, Edi Rama, dhe Agaçi me asistenten e tij, Elira Kokona.Ai paraqet projektin e tij, dëshirën dhe vendimin e kompanisë që të gjithë sipërmarrjen e tij të madhe në Ukrainë ta spostojë në Shqipëri, por për këtë qëllim kërkon krijimin e një zone, siç e kishte në Ukrainë, me kushte të favorshme.
E vërteta është se kjo iu premtua, se Ramaduro filloi të flasë për Silicon Valley në Durrës.
Por menjëherë kthetrat e egra të mafies shqiptare përvetësuan projektin dhe kompania prestigjioze nuk gjeti asnjë mundësi të investonte në këtë vend.E zhgënjyer, e dëshpëruar, pa që kishte të bënte me një narko-mafie të pashembullt, dhe si përfundim këto livadhe dhe ara që shihni këtu janë Troplana e Edi Ramës.