Dështojnë negociatat/ Mijëra infermierë hyjnë në grevë në disa spitale të mëdha të Nju Jorkut
Mijëra infermierë në tre sisteme spitalore në New York City hynë në grevë të hënën, pasi negociatat gjatë fundjavës nuk arritën të jepnin zgjidhje në mosmarrëveshjet e tyre për kontratat.
Infermierët duhej të fillonin të largoheshin nga puna në orën 6 të mëngjesit në Spitalin Mount Sinai dhe dy nga kampuset e tij satelitore. Spitalet e tjera të prekura janë NewYork-Presbyterian dhe Qendra Mjekësore Montefiore në Bronx.
Rreth 15,000 infermierë janë të përfshirë në grevë, sipas Shoqatës së Infermierëve të Shtetit të Nju Jorkut.
Greva, e cila vjen gjatë një sezoni të ashpër gripi, mund t’i detyrojë spitalet të transferojnë pacientë, të anulojnë procedurat ose të devijojnë ambulancat. Gjithashtu, mund të ushtrojë një barrë mbi spitalet e qytetit që nuk janë të përfshira në mosmarrëveshjen për kontratën, pasi pacientët shmangin qendrat mjekësore të goditura nga greva.
Spitalet e përfshira kanë punësuar infermierë të përkohshëm, për të provuar të plotësojnë boshllëkun e fuqisë punëtore gjatë grevës, ku gjatë negociatave njoftuan në një deklaratë se do të "bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të minimizuar ndërprerjet". Montefiore postoi një mesazh, duke i siguruar pacientët se takimet do të mbahen.
Ndërprerja e punës po ndodh në disa spitale njëkohësisht, por secila qendër mjekësore po negocion me sindikatën në mënyrë të pavarur. Disa spitale të tjera në të gjithë qytetin dhe në periferitë e tij, arritën marrëveshje ditët e fundit për të shmangur një grevë të mundshme.
Kërkesat e infermierëve ndryshojnë në varësi të spitalit, por çështjet kryesore përfshijnë nivelet e personelit dhe sigurinë në vendin e punës. Sindikata thotë se spitalet u kanë dhënë infermierëve ngarkesa pune të papërballueshme.
Infermierët duan gjithashtu masa më të mira sigurie në vendin e punës, duke përmendur incidente si ai i javës së kaluar, kur një burrë me një objekt të mprehtë u ndalua në një dhomë spitali në Bruklin dhe më pas u vra nga policia.
Sindikata gjithashtu dëshiron kufizime në përdorimin e inteligjencës artificiale nga spitalet.
Spitalet jofitimprurëse të përfshira në negociata thonë se kanë punuar për të përmirësuar nivelet e personelit, por thonë se kërkesat e sindikatës në përgjithësi janë shumë të kushtueshme.
Infermierët votuan për të autorizuar grevën muajin e kaluar.
Si Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, ashtu edhe kryebashkiaku Zohran Mamdani kishin shprehur shqetësim në lidhje me mundësinë e grevës. Ndërsa afati i grevës po afrohej, Mamdani u bëri thirrje të dyja palëve të vazhdonin negociatat dhe të arrinin një marrëveshje, që "nderon infermierët tanë dhe i mban spitalet tona të hapura".
“Infermierët tanë e mbajtën këtë qytet gjallë në momentet e tij më të vështira. Vlera e tyre nuk është e negociueshme”, tha Mamdani.
Greva e fundit e madhe e infermierëve në qytet ndodhi vetëm tre vjet më parë, në vitin 2023. Ajo ndërprerje pune, në Mount Sinai dhe Montefiore, ishte e shkurtër, duke zgjatur tre ditë. Ajo rezultoi në një marrëveshje që rriti pagat me 19% gjatë tre viteve në ato spitale.
Kjo çoi gjithashtu në përmirësimet e premtuara të personelit, megjithëse sindikata dhe spitalet tani nuk bien dakord për sa i përket përparimit të bërë, ose nëse spitalet po tërhiqen nga garancitë e personelit./ AP.